RTSH Sport Live

Flamurtari – Partizani, finalja e Ligës Unike

  • 16/03/2023
  • |
  • Basketboll
Flamurtari – Partizani, finalja e Ligës Unike
Klubi i basketbollit të Prishtinës i pakënaqur me gjykimin, reklamim për shkeljet në ndeshje

Flamurtari – Partizani është finalja e edicionit të dytë të Ligës Unike në basketboll për femra, që është duke u zhvilluar në Vlorë. Një festë e madhe e basketbollit të vajzave mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa Flamurtari ka fituar 83-74. Një ndeshje e cila ka patur rivalitet, emocione, por edhe tensione. Prishtina, edhe për shkak të gjykimit të njëanshëm sipas tyre, është tërhequr në një moment nga parketi i lojës për t’u rikthyer më pas. Megjithatë Klubi i Basketbollit të Prishtinës ka bërë dhe një reagim, sepse është aktivizuar në lojë një basketbolliste e Flamurtarit me pesë gabime personale, të cilën më pas e kaluar ndërkombëtari Ervin Koçi. E për të gjitha shkeljet, Prishtina ka bërë dhe ankimim, ndërsa e ka vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e saj në ndeshjen për vendet 3-4 me Bashkimin e Prizrenit, që është mundur nga Partizani, 62-60.  Në përfundim të këtij takimi, për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar ka folur trajneria e Flamurtarit, Elona Hasanaj.

"Katër ekipet që marrin pjesë në Final Four të Ligës Unike janë katër skuadrat më të mira të këtij aktiviteti. Janë absolutisht ekipe me përbërje të shkëlqyera dhe këto ndeshje detyrimisht kështu do të shkojnë. Janë ndeshje që janë të ngarkuara me emocione, ka gabime. Gabuam dhe ne. Më vjen keq që pati dhe situata të pakëndëshme, por këto janë ndeshje finale dhe detyrimisht kështu do të shkojnë", shpjegon trajneria e vlonjateve.   

Kështu Liga Unike premton një mbrëmje magjike të enjten në Vlorë me ndeshjet Bashkimi i Prizrenit – Prishtina për vendet 3-4 në ora 16:00 dhe Flamurtari – Partizani për vendet 1-2 në ora 19:00.