RTSH Sport Live

Flamurtari, tjetër hap drejt trofeut

  • 03/02/2023
  • |
  • Basketboll
Flamurtari, tjetër hap drejt trofeut
Vlonjatet mundin Tiranën, 71-58, dhe forcojnë kreun në Ligën Unike

Flamurtari në basketboll për femra ka hedhur dhe një tjetër hap të sigurtë për të qenë në finalen e Ligës Unike “Shqipëri-Kosovë”. Pikërisht të enjten pasdite, vlonjatet kanë mundur Tiranën, 71-58. Një ndeshje e cila është udhëhequr nga vajzat kuqezi që nga fillimi e deri në fund. Madje në përfundim të dy periodave të para, Flamurtari ka qenë në avantazhin e 8 pikëve diferencë, 44-36. Avantazh që ka ardhur duke u thelluar, ndërsa në fund janë shënuar shifrat 71-58 për Flamurtarin. Me këtë sukses, Flamurtari është kryesuese e Ligës Unike, kurse për trajneren e Tiranës, Mirza Alibegaj, skuadra tashmë do të jetë e përqendruar në kampionat.

"Ne jemi larguar pak nga objektivat për t'u futur në Final-Four. Kjo edhe për shkak të rezultateve që kemi marrë, ndërsa jemi me vetëm dy fitore. Kjo nuk do të thotë që ne nuk do të duhet të luanim mirë. Ndoshta mund ta luanim më mirë këtë ndeshje. Nuk ia arritëm, ndërsa bëmë gabimet tona. Ndaj nuk ia arritëm qëllimit për një ndeshje të mirë e për ta fituar atë", tha Alibegaj në përfundim të ndeshjes.

Hasanaj nga ana e saj ka treguar se objektivi i Ligës Unike është realizuar, por titulli kampion mbetet gjithmonë në plan të parë për Flamurtarin.

"Kjo ndeshje ka vendosur të sigurtë katërshen e Ligës Unike. Për vendin e parë kemi dhe dy ndeshje të tjera akoma, pra me Prishtinën dhe Partizanin. E rëndësishme është se jemi pjesë e katërshes finale të Ligës Unike", nënvizoi Elona Hasanaj.

Liga Unike në basketboll për femra ka dhe dy javë, ndërsa Flamurtari e Bashkimi i Prizrenit janë skuadrat kryesore për ta fituar atë trofe.