RTSH Sport Live

FSHF përfundon mini-fushën e re me bar artificial në “Shtëpinë e Futbollit”

  • 15 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
FSHF përfundon mini-fushën e re me bar artificial në “Shtëpinë e Futbollit”

Federata e Futbollit ka përfunduar me sukses ndërtimin e mini-fushës së re me bar artificial në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Punimet nisën më 31 janar dhe përfunduan më 10 mars, duke u realizuar në kohë rekord falë angazhimit maksimal të FSHF-së. Kjo fushë është tashmë gati për të pritur aktivitetet e ekipeve kombëtare dhe evente të ndryshme sportive, teksa ditën e djeshme akademia ‘Elite Youth’ ka zhvilluar stërvitje në ambientet e reja.

Ky është investimi i tretë i këtij lloji brenda kompleksit të “Shtëpisë së Futbollit”, i cili po shndërrohet në një qendër multifunksionale. Paralelisht, vijojnë me ritme të larta punimet për fushën e katërt me bar natyral, që do të plotësojë më tej kapacitetet e këtij kompleksi.

Në vijim të zhvillimeve infrastrukturore, së shpejti pritet të nisin edhe punimet për ndërtimin e hotelit të ekipeve kombëtare. Një projekt i rëndësishëm që do të sigurojë kushte optimale akomodimi për ekipet përfaqësuese.