Federata Shqiptare e Futbollit ka mundësuar për herë të parë në Shqipëri finalet e një turneu madhor ndërkombëtar për moshat. UEFA ka vendosur t’i besojë FSHF-së dhe Shqipërisë mikpritjen e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.
Federata Shqiptare ishte një nga federatat që kishte kandiduar për të pritur fazën finale të turneut, duke përgatitur një aplikim voluminoz që u përgatit nga administrata e FSHF-së dhe që më pas u paraqit në UEFA.
Së fundmi, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e zhvillua këtë të martë në Qipro ka votuar pro kandidaturës shqiptare, me finalet e turneut kontinental që do të luhen në Shqipëri pas dy vitesh.
Investimet në infrastrukturë me stadiumet e reja, që plotësojnë kriteret e duhura për turne ndërkombëtarë, apo edhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në mikpritjen dhe organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n të sjellë në vendin tonë një ngjarje madhore.