RTSH Sport Live

Gega dhe Smajlaj në Europianin e Atletikës

  • 01/06/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Gega dhe Smajlaj në Europianin e Atletikës
Kampionati, i cili zhvillohet në Romë më 7-12 qershor, drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar

Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj do të jenë përfaqësuesit e Shqipërisë në Kampionatin Europian të Atletikës, që do të zhvillohet në Romë më 7-12 qershor dhe që do të vijë drejtpëdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Luiza Gega, me petkun e Kampiones së Europës më 2022-ën në Mynih dhe të nënkampiones së Europës më 2016-ën në Amsterdam, do të kërkojë të mbrojë trofetë në 3000 metra me pengesa. Ajo do të jetë në garat eleminatore në mëngjesin e 7 qershorit. Ndërkohë është e vetmja atlete, e cila ka dhe normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Vjen në këtë aktivitet dhe si Kampione Ballkani në 3000 metra me pengesa dhe 5000 metra.

Ndärkohä Izmir Smajlaj, më 2017-ën Kampion Europe në salla të mbyllura në Beograd, do të konkurrojë më 9 qershor në kërcim së gjati. Paraqitja e Gegës mbi të gjitha, por dhe e Smajlajt, i cili kthehet pas një dëmtimi të gjatë, shpresohet të jetë shumë i mirë, ashtu sikurse presin të gjithë në familjen e atletikës shqiptare e jo vetëm...