RTSH Sport Live

Guardiola: Siti-Real është bërë traditë

  • 15/03/2024
  • |
  • UEFA Champions League
Guardiola: Siti-Real është bërë traditë

Për të tretin vit radhazi Siti i Pep Guardiolës sfidon Realin e Madridit në Ligën e Kampioneve. Një duel ky që në këtë sezon pritet edhe me më shumë interes pasi skuadra me më shumë tituj në kompeticion tashmë do të përballet me kampionen në fuqi.

Të dy klubet janë takuar në gjysmëfinale në dy vitet e fundit, me Realin që fitoi në vitin 2022, por Siti mori hak për atë eliminim me një fitore 4-0 në “Etihad Stadium” sezonin e kaluar.

“Duket si një traditë e vogël, tre vjet me radhë luajmë me ‘mbretërit’ e kompeticionit”, tha Guardiola. “Shpresojmë se mund të arrijmë në një moment të mirë, por ka ende disa javë para ndeshjes së parë në Madrid.

Nuk është e nevojshme të thuhet se çfarë është Reali i Madridit në këtë kompeticion. Kur luan në fazat e fundit, luan kundër skuadrave më të mira në Evropë.

Por të gjithë kundërshtarët janë vërtet të ashpër, të gjithë e dinë këtë. Ne ishim të emocionuar para shortit sepse është një privilegj sa herë që jemi këtu. Është një garë e veçantë”, komentoi trajneri i Sitit (luan të shtunën në 18:30 përballë Njukasëllit në FA Cup).