RTSH Sport Live

Holanda, Van Gaal: Argjentina? Jemi të përgatitur

  • 08/12/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Holanda, Van Gaal: Argjentina? Jemi të përgatitur
Louis van Gaal e pret me respekt, por pa frikë përballjen me Argjentinën

Louis van Gaal e pret me respekt, por pa frikë përballjen me Argjentinën, gjithmonë i bindur se Holanda ka të dhënat  “për të shkuar deri në fund” në Botërorin e Katarit dhe “është i fokusuar tek ky synim”. Nesër, megjithatë, përveç kampionëve të Albicelestes, edhe lojtarët e tij do të kenë përkrahës kundër tij, por veterani i pankinave nuk dridhet dhe në konferencën për shtyp thotë se ka besim te lojtarët e tij se “janë shumë profesionistë për të qenë në gjendje për të përballuar presionin e tifozëve argjentinas, do të jenë 40 mijë dhe ne jemi vetëm 1400, por jemi të përgatitur”.

Trajneri holandez rithekson se ka përgatitur një taktikë të veçantë për të mbajtur Messin, të cilën "do të ishte marrëzi ta zbulonim", por që "mund të jetë e dukshme nesër" dhe sa i përket lojës së portokallinjve, të cilën shumë e kritikojnë se nuk është spektakolare, ai shpjegon se: "Është e vështirë të luajmë si 20 vjet më parë. Në vitin 2014 fillova të zhvilloj një skemë më mbrojtëse dhe tani njerëzit e pëlqejnë atë”.

Van Gaal ka një shaka edhe për Di Marian, me të cilin kishte një marrëdhënie disi të stuhishme në kohën e Manchester United dhe që e përcaktoi atë si trajnerin më të keq që ka takuar në karrierën e tij: “Di Maria është një futbollist i shkëlqyer, por më pas kishte pasur shumë probleme personale, madje e kishin grabitur në shtëpi dhe kjo ndoshta ka ndikuar. Më vjen keq që mendon kështu për mua, por edhe ata që janë ulur pranë meje munden”, vazhdon ai duke treguar Memphis Depay, gjithashtu lojtar i tij tek United: "Ndonjëherë duhet të marrësh vendime që nuk të pëlqejnë. Ka ndodhur edhe me Memphisin, tani përqafohemi".