RTSH Sport Live

Humbja dominon kombëtaren e moshave

  • 24/07/2023
  • |
  • Basketboll
Humbja dominon kombëtaren e moshave
Shqipëria U-16 dhe U-18 dështojnë në ndeshjet e tyre në Kampionatet Europiane

Shqipëria e moshës deri në 16 vjeç dhe 18 vjeç për djem, të cilat janë duke marrë pjesë në Kampionatin Europian, Divizioni B dhe C, kanë vazhduar t’i humbasin ndeshjet e tyre.

Kështu kuqezinjtë e vegjël, të cilët janë duke marrë pjesë në Kampionatin Europian të moshës deri në 16 vjeç në Divizionin C, pas humbjes të shtunës me Azerbajxhanin, kjo në shifrat 20 pikë diferencë, 67-87, të hënën kanë marrë humbjen e tretë në grup. Këtë herë ndaj Armenisë me 28 pikë diferencë, 59-87. Tanimë kjo kombëtare, teksa aktiviteti zhvillohet në Prishtinë, do të luajë për vendet 5-9 duke nisur nga kjo e martë, ndërsa grupin e ka mbyllur me një fitore dhe tre humbje.

Sakaq në Matosinhos të Portugalisë, aty ku po luhet Divizioni B, Shqipëria e moshës deri në 18 vjeç ka luajtur dhe ndeshjen e prapambetur me Bosnje-Hercegovinë, të cilën e ka humbur me 41 pikë diferencë, 51-92. Të dielën u mund nga Gjeorgjia me 57 pikë diferencë, 50-107 e deri më tani numëron tre humbje në tre ndeshje. Takimi i radhës do të jetë me Sllovakinë në ora 21:30 të së martës për ta mbyllur fazën e grupeve të mërkurën në të njëjtën orë me Hungarinë. E në këtë mënyrë tek djemtë të të dy grupmoshave dështimi është i madh.