RTSH Sport Live

Koja: Jemi ekip në rindërtim

  • 18/09/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Koja: Jemi ekip në rindërtim
Pas fitores me Tiranën, trajneri i Erzenit kërkon vazhdimësinë e rezultateve

Erzeni e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri në volejbollin e meshkujve, teksa të shtunën në mbrëmje, në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga”, Xhafzotaj, ka mundur 3-1 Tiranën. Por ndërkohë skuadra ka patur lëvizje, sepse nuk janë më Nazifi dhe Sabliqi, ndërsa kanë mbetur në ekip Aldo Dashi, Kula, Çullhaj, Hoxha, Driza, Borçi dhe i vetmi i ardhur është Koja në pozicionin e liberos. Për Nazifin dhe Sabliqin, menjëherë pas ndeshjes trajneri i shijakasve, Ilia Koja, ka dhënë këtë shpjegim për RTSH Sport

"Nazifi ka probleme fizike dhe deri më tani është i larguar nga skuadra. Sabliqin e dëshiroja shumë në skuadër. Ishte deri në një moment të caktuar. Por ishte zgjedhja e tij më pas dhe ne e respektojmë zgjedhjen e lojtarit", ka theksuar trajneri i Erzenit, Ilia Koja.

Në javën e dytë të kampionatit, Erzeni udhëton drejt Korçës për t’u përballuar me Skënderbeun vendës, që në startin e kampionatit u mund nga Vllaznia, 3-1

"Dëshiroj gjithmonë një Erzen sa më të mirë. Nga ndeshja në ndeshje të rritemi, ndërsa jemi duke punuar shumë në stërvitje si në kohë, ashtu dhe në elementë të veçantë. Kështu që kërkesa ime dhe dëshira ime është të paraqitemi më mirë se kaq", nënvizoi Koja.

A është i aftë ky Erzen për të marrë sivjet të gjitha trofetë kombëtar, ku më i rëndësishmi është titulli kampion?

"Ne jemi në ndërtim. Ne presupozohet që avansh-avash të përforcohemi dhe me ndonjë lojtar të huaj. Duhet që të krijohet dhe të kemi një konkurrencë në skuadër", ka përfunduar Ilia Koja.