RTSH Sport Live

Korabi mposht Skënderbeun

  • 14/11/2022
  • |
  • Kategoria e Parë
Korabi mposht Skënderbeun
Joti dhe Keko e trepikësh me vlerë për dibranët, që vihen në ndjekje të kryesuesve

Korabi ka marrë një fitore të vyer ndaj Skënderbeut, ndërsa pas triumfit 2-1 në Peshkopi është ngjitur në vendin e tretë në renditje me 17 pikë, kjo pas javës së dhjetë të Kategorisë së Parë. Dibranët e kanë nisur shpejt sfidën dhe Keko ka shansin e artë në të 2’ që ta kalojë skuadrën e tij në avantazh. Por çon dëm penalltinë e dhënë për Korabin. Vendësit nuk e humbasin toruan dhe në të 7’ kalojnë në avantazh me anë të Jotit. Gjithsesi në fundin e pjesës së parë, Skënderbeu e ka gjetur golin e barazimit, që ka mbajtur firmën e Vangjes Zguros, i cili ka shndërruar në gol njëmbëdhjetëmetërshin për korçarët.

Pjesa e dytë është më e bukur dhe vendësit fitojnë tjetër penallti, teksa këtë herë Keko nuk gabon më dhe Korabi në të 60’ është në avantazh 2-1. Skënderbeu mund të kishte barazuar me Pusin në të 70’, por shënjestra nuk është e duhur dhe Korabi i gëzohet trepikëshit të katërt të këtij sezoni, kurse Skënderbeu mbetet në mesin e tabelës me 13 pikë. Sakaq Luzi 2008, falë golit të Merdinit në të 60’, ka marrë një sukses të merituar me Besëlidhjen, ndërsa është ngjitur në kuotën e 16 pikëve në vendin e katërt në renditje. Kategoria e Parë rikthehet në fushën e lojës më 11 dhjetor.