RTSH Sport Live

Kosova, Challandes  i vetëdijshëm: Provë e vështirë me Suedinë

  • 04/10/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Kosova, Challandes  i vetëdijshëm: Provë e vështirë me Suedinë
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes në konferencë për shtyp, në prag të sfidave me Suedinë më 9 tetor dhe  Gjeorgjinë më 12 tetor

Një sfidë shumë e vështirë, por beson se të tijtë do të konfirmojnë rritjen që treguan në tri sfidat e muajit shtator. Trajneri i Kosovës,  Bernard Challandes ka dalë në një konferencë për shtyp në prag të sfidave me Suedinë, që do të luhet më 9 tetor dhe Gjeorgjinë, më 12 tetor.

“Tani duhet të shkojmë në Suedi, dhe Suedia është një ekip shumë i fortë, tejet i vështirë. E kemi parë në “Euro 2020” ku iu ka shkaktuar probleme të gjithë kundërshtarëve. Luan futboll të fortë dhe me lojë fizike ia bën të vështirë kundërshtarit të aplikojë lojën e tij. Kujtoni në shtator kemi nisur me slogan të ri për ndërrimin e mentalitetit, pastaj kishim tri ndeshje, mund të them tri ndeshje të mira. E para kundër Gjeorgjisë, ndeshje e vështirë por dëshmuam se kishim bërë ndryshimin e mentalitetit. Kemi luftuar, punuar së bashku si ekip dhe mendoj se kjo ishte pikënisja e ndërrimit të mentalitetit”.

“Në ndeshjen e dytë, kundër Greqisë, i kemi përzier të gjitha këto dhe në fund, ekipi e meritoi barazimin. Ishte një ndeshje e luajtur me mentalitet dhe futboll të mirë. Dhe, ndeshja e fundit kundër Spanjës, mbase nuk pajtoheni, por për mua ishte ndeshja më e mirë që kur kam marrë drejtimin e Kosovës. Kemi luajtur kundër ekipit më të mirë në botë dhe bëmë paraqitje fantastike duke i përzier të gjitha cilësitë tona si ekip. Me një fjalë, kemi luajtur futboll, si taktikisht ashtu edhe në mbrojtje. Kishim mundësi shënimi dhe jemi mbrojtur shumë mire”.

“Tani me Suedinë, kemi më shumë opsione sesa ndaj Spanjës, pasi tani e kemi edhe Domgjonin që e kemi shtuar. Do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Po ashtu gjithmonë do të mundohemi të afrojmë lojtarë të rinj. Dera e ekipit është e hapur për të gjithë, por askush nuk duhet ta mendojë se vendin e ka të siguruar deri në fund të karrierës së tij, pasi zgjedhjet bëhen bazuar në formën e tyre”.