RTSH Sport Live

Kukësi kryesues, por Longo e kalon presionin te Laçi

  • 26/09/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi kryesues, por Longo e kalon presionin te Laçi
Tekniku kujton precedentët e vitit të kaluar, ndërsa mungesat nuk i ka alibi

Një transfertë më shumë se e vështirë, përballë një kundërshtari direkt. Përplasja me Laçin do të jetë testi i parë i vërtetë për Kukësin e Diego Longos, që vjen në javën e tretë të kampionatit me pikë të plota. E megjithatë, italiani, si një finok i strategjive dhe jashtë fushës, e kalon menjëherë presionin në anën e kundërshtarit, duke konsideruar bardhezinjtë favoritë të kësaj përballje, duke marrë në konsideratë atë që ka ndodhur gjatë sezonit të kaluar, me kurbinasit fitues në tre nga katër ndeshjet e luajtura mes tyre.

“Pas dy javësh nuk ekziston një kryesues. Ka vetëm favoritë dhe ne nuk jemi, sepse nuk mund të kalosh nga një kampionat në tjetrin në dy muaj distancë dhe 21 pikë diferencë e të jesh favoritë. Të tillë janë Vllaznia, Teuta, që luajnë dhe mirë e janë të organizuar. Partizani, Laçi që sigurisht është mbi ne, sepse vitin e kaluar fitoi 3 në 4 ndeshje me shumë pikë avantazh. Kështu që ne do ti marrim ndeshjet me radhë”.

“Sigurisht, Laçi është favorit. Një skuadër që ka shumë nga lojtarët e vitit të kaluar, ku bënë shumë më mirë se Kukësi. Kështu që janë ata favoritë. Janë nën presion sepse kanë marrë një pikë në  dy ndeshje dhe nëse nuk do të fitojnë me ne, për ta do të ishte katastrofë”.

“Fatkeqësisht ka dhe faktorë të tjerë, por nuk duhet të jenë alibi mungesat, dëmtimet. Kemi problem, por kam 21 lojtarë dhe për mua janë të gjithë titullarë. Mund të jetë rastësi që kanë luajtur të njëjtët, por do të ketë edhe ndryshime, të sforcuara në këtë rast. Por kushdo që do të luajë, do të bëjë të vetën dhe për këtë jam i qetë”.

“Fitohet duke dhënë 100%, si gjithnjë, ndoshta edhe pak më shumë, duke qenë se është një skuadër shumë agresive, që është nën presion dhe do të japë edhe jetën për të fituar. Natyrisht fitohet edhe me ekuilibër, me qetësi, me durim, duke shprehurlojën tonë e në fund të shikojmë”.