Skuadra e tij është mundur në fushën e vet të mërkurën përballë Partizanit, por, përtej përgëzimeve për kundërshtarin, për trajnerin Diego Longo, Kukësi mundi veten.
“Gabime që përsëriten. Punojmë gjithë javën me vertikalizime dhe në fund pësojmë gola fotokopje. Kjo është cilësia e ekipit. Përballë kishim një ekip të jashtëzakonshëm, si Partizanin me cilësi të jashtëzakonshme dhe nuk e kuptoj pse nuk janë për titull “kampion” dhe duke rivalizuar me Tiranën. Në pjesën e dytë provuam shumë, por nuk arrijmë të shënojmë nga 4 metra. Nuk mund të kërkoj më shumë nga lojtarët, ata dhanë maksimumin, ndoshta duhet të ndryshojë ky fat që kemi, nuk shënojmë dot nga 4 metra, edhe tek goli, goditëm në fillim shtyllën, pastaj shënuam”.
Italiani i stolit të verilindorëve ka vajtuar mungesën e një sulmuesi goli në këtë gjysmë të dytë të sezonit.
“Sa i përket punës, nuk mund të bëjmë më shumë, jemi duke punuar shumë, madje edhe më shumë se në pjesën e parë të sezonit. Nuk e di çfarë mund të them, ka probleme që nuk janë aq të qarta. Kur fus sulmues, e kemi parë që fus Markun që është qendërmbrojtës dhe Bahtrin që është mesfushor. Fakti që nuk kam një sulmues, nuk e ndihmon skuadrën që të shënojë. Nuk mund të fus Pero Pejiçin. Shkurtaj erdhi dhe luajti 20 minuta. Puntus mbylli sezonit për shkak dëmtimi, edhe Fejzhao ka munguar 1 muaj. Nuk kemi alternativa në sulm. Edhe tani që u kthyen disa, shkoi ashtu siç shkoi”.
Kukësi mbetet në vendin e 4-t, në kuotën e 46 pikëve, 3 më pak sesa Partizani i vendit të 3-të.