RTSH Sport Live

Kupa e Botës, në Shqipëri

  • 21/05/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Kupa e Botës, në Shqipëri
Trofeu i kompeticionit më magjepsës së planetit do të ekspozohet në kryeministri

Kupa e Botës për herë të parë në Shqipëri. Sportivisht Kombëtarja Shqiptare nuk ka arritur asnjëherë të kualifikohet në një Botëror, por trofeu zgjedh të vijë në Shqipëri, të paktën për një ditë. Inisiativa e FIFA-s për të vijuar traditën e ekspozimit të Kupës më prestigjoze që ka njohur historia e sportit, do të vazhdojë këtë prag-botërori me një formulë të veçantë. Shqipëria është e përzgjedhur mes 51 vendeve ku trofeu do të ekspozohet deri në muajin nëntor nga të cilët 32 janë vendet që do të marrin pjesë në Kupën e Botës.

Ambasadori i ndalesës shqiptare do të jetë mesfushori i Brazilit, kampion bote në 2002-shin, Gilberto Silva ndërsa që prej orës 15:00 trofeu do të ekspozohet në Sallën e Librarisë në kryeministri, e cila do të rrijë e hapur deri në orën 21:00, ku vizitat do të menaxhohen me ftesa në fasha të ndryshme oraresh. Kjo është hera e parë që trofeu më i famshëm dhe magjepsës i planetit zbarkon në Shqipëri ndërsa në fund të vitit të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi ta përjetojnë garën për kupën vetëm në ekranin publik nëpërmjet transmetimit ekskluziv të Kupës së Botës, Katar 2022.

Mbërritja e delegacionit shoqërues të trofeut në Rinas në orën 10, ceremonia e pritjes, prezantimi në aeroport por edhe ekspozimi në kryeministri në orën 15:00 bashkë me fjalën e Kryeministrit Edi Rama, ambasadorit, Gilberto Silva dhe shumë personaliteteve të tjerë, do të transmetohet live në ekranin e RTSH 24.