RTSH Sport Live

Kupa e Italisë/Ëndrra Cremonese vazhdon, befason Romën dhe shkon në gjysmëfinale

  • 01/02/2023
  • |
  • Itali
Kupa e Italisë/Ëndrra Cremonese vazhdon, befason Romën dhe shkon në gjysmëfinale
Golat e Dessers (penallti) dhe autogoli i Celik vendosën ndeshjen në Olimpico. Goli i Belottit në finale nuk mjafton, për lombardët tani është Fiorentina

Cremonese mundi Romën 2-1 në Olimpico  dhe u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ku do të takohet me Fiorentinën në prill. Skuadra e Ballardinit, e cila kishte pushtuar në 1/8 stadiumin  “Maradonën” duke mundur Napolin, del triumfuese nga Olimpico, duke vazhduar rrugën e ëndrrave. Dessers kujdeset për zhbllokimin e ndeshjes me një penallti (28'), e shkaktuar nga Rui Patricio, por e nxitur nga një gabim i bujshëm i Kumbullës. Mourinho e revolucionarizon skuadrën në pjesën e dytë, por befasohet nga autogoli i Çelik në minutën e 49-të dhe pavarësisht aktivizimit të Abraham dhe Dybala,  nuk arrin të rregullojë një mbrëmje shumë të keqe. Goli i Belottit në minutën e parafundit të rikuperimit ishte i kotë.

Fiorentina siguroi biletën për në gjysmëfinale duke mundur në Franchi Torinon 2-1. Pas një shtylle të Mandragora në pjesën e parë dhe shumë rasteve të humbura nga të dyja skuadrat, ndeshja u zhbllokua me goditjen me kokë të Jovic në minutën e 65-të pas asistimit të Terzic, më pas në minutën e 90-të Ikoné dyfishoi epërsinë në kundërsulm. Goli I nderit për Torinon u shënua nga Karamoh në minutën e 93-të.