Kupa e Shqipërisë 2023/2024 do të rikthehet këtë të mërkurë me ndeshjet e fazës së 1/8-ave. Të tetë takimet do të luhen në një ditë dhe ndeshjet do të nisin në orën 13:00 dhe 17:00.
Në këtë fazë të Kupës ka disa duele interesante, ku garojnë edhe ekipet e renditura nga vendi i parë e deri në vendin e tetë në “Abissnet Superiore” për sezonin 2022-2023. Të gjitha ndeshjet do të luhen me vetëm një takim dhe skuadrat që do të kualifikohen për në çerekfinale do të vendosen të mërkurën.
Në orën 13:00 do të luhen gjashtë takime. Kryesuesit e “Abissnet Superiore”, Egnatia do të përballen me Lushnjen. Ndërsa Partizani në fazën e 1/8-ave do të përballet me Apoloninë.
Tirana në këtë fazë ka si kundërshtarë Korabin, ndërsa një takim i fortë është ai mes dy skuadrave të “Abissnet Superiore”, Laçi – Dinamo.
Në të njëjtën orë do të luhen edhe dy sfida të tjera që premtojnë spektakël, Kukësi – Elbasani dhe Erzeni – Bylisi. Dy sfidat e tjera të Kupës së Shqipërisë do të startojnë në orën 17:00.
Vllaznia do të përballet me Flamurtarin dhe në orën 17:00 do të luhet edhe një tjetër takim shumë i fortë mes dy skuadrave të “Abissnet Superiore”, Teuta – Skënderbeu.