Maqedonia e Veriut, Botërorin e saj e ka fituar. Fqinji jonë modest në kapacitete por perfekt në organizim prej më shumë se dy vitesh po tregon se futbollin e të mëdhenjve mund ta bëjnë edhe të vegjëlit. Pas suksesit të pritur në eleminatoret e Botërorit kundër Gjermanisë, pikërisht në shtëpinë e skuadrës së Loew u mendua se ajo do të ishte arritja më e madhe e skuadrës që në grupin e saj ka miksuar talentin me karakterin e fortë. Nuk ishte aspak e vërtetë pasi për herë të parë fqinjët tanë, vetëm 5 vite pas debutimit të kuqezinjve në një eveniment europian, u përfaqësuan denjësisht në Euro 2020 por kujdes, goditjen e madhe ende nuk e kishin bërë.
Vetëm dy ditë më parë, në jugun e thellë të Italisë, ballkanasit që në gjirin e tyre kanë edhe disa shqiptarë të talentuar që ndoshta për shumë detaje të thëna e të pathëna, mbetën matanë kufirit futbollistik shqiptar, shokuan botën e futbollit duke rikonfirmuar faktin se futbolli kërkon organizim, talent dhe pak fat që Maqedonia e Veriut e pati me shumicë në “Renzo Barbera”. Planifikim model, një kombëtare modeste e cila sigurisht na kujton Shqipërinë e De Biasit, por njëkohësisht na mëson edhe rrugën për të arritur vazhdimësinë, çka ajo skuadër nuk arriti ta bënte.
Maqedonia e Veriut sot duhet të jetë një libër i hapur studimi për kuqezinjtë ndërsa leksioni 90 minutësh i Palermos sigurisht që mund ta frymëzojë dhe armatosë me besim edhe Kombëtaren Shqiptare se edhe të mëdhenjtë mund të rrëzohen me futbollin modest por të organizuar të të vegjëlve.