RTSH Sport Live

Liga Unike, luhen dy të parat e javës së 3-të

  • 06/02/2024
  • |
  • Basketboll
Liga Unike, luhen dy të parat e javës së 3-të
Tirana mund Partizani 88-82 në takimin që u transmetua në RTSH Sport

Veprimtaria mbarëkombëtare e basketbollit për femra, Liga Unike, është rikthyer në parket në mesjavë, teksa të martën janë luajtur dy ndeshjet e para të javës së 3-të të fazës së grupeve, ndërsa të mërkurën luhet ndeshja e fundit. Kështu, në kryeqytetin shqiptar është zhvilluar derbi midis Tiranës dhe Partizanit, që është fituar nga vajzat bardheblutë me shifrat 88-82. Në fakt, ndeshja e zhvilluar në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet dhe e sjellë për sportdashësit në RTSH Sport, ka parë përmbysje të rezultatit teksa është Tirana që e fiton 10-minutëshin e parë, me 4 pikë epërsi, 23-19.

Por është Partizani që e fiton 10-minutëshin e dytë me 5 pikë epërsi, 21-16, dhe shkon kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me vetëm një pikë epërsi, 40-39. Tirana ka dalë një tjetër skuadër nga dhomat e zhveshjeve, duke e fituar 10-minutëshin e 3-të me një epërsi të dyfishtë, 21-11, por, më tepër se kaq, duke marrë kryesimin e rezultatit pas një gjysmë ore lojë, me 10 pikë epërsi, në shifrat 61-51.

Edhe pse 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka folur për të kuqet, që do ta fitojnë atë me 4 pikë epërsi, 31-27, ato nuk do të arrijnë dot të përmbysin shifrat, pasi është Tirana që e ka fituar gjithë takimin me rezultatin 88-82. Ndërkaq, në takimin tjetër, derbin e dy skuadrave të Kosovës, midis Bashkimit dhe Prishtinës, është skuadra nga Prizreni që ka ngadhënjyer ndaj kryeqytetaseve, me vetëm 3 pikë epërsi, 54-51, në një sfidë ku ato që vendosën ishin mbrojtjet.

Ndërkaq, të mërkurën luhet takimi i 3-të, ai midis Penzës së Pejës dhe Flamurtarit të Vlorës. Bashkimi mbetet në krye të renditjes, me pikë të plota, 6, i ndjekur nga Prishtina dhe Tirana, me nga 5 pikë, Flamurtari e Partizani, me nga 3 dhe Penza me dy pikë.

Vllaznia kapërcen mbi Tiranën në renditje, teksa ndan vendin e dytë e të 3-të me Kamza Basket, me nga 21 pikë secila, 3 më pak sesa Besëlidhja kryesuese, ndërsa kryeqytetasit zbresin në vendin e 4-t, me 20 pikë.