RTSH Sport Live

Magjia e Casemiro dërgon Seleçaon në raundin e 16-shes: 1-0 ndaj Zvicrës

  • 28/11/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Magjia e Casemiro dërgon Seleçaon në raundin e 16-shes: 1-0 ndaj Zvicrës
Një perlë e mesfushorit zhbllokon një ndeshje të komplikuar për brazilianët kundër ekipit të Yakin

Botërori do të ketë edhe Brazilin në 1/16 pas fitores 1-0 ndaj Zvicrës në ditën e dytë të grupit G. Seleçao pas suksesit në debutimin ndaj Serbisë, u përsërit edhe ndaj Zvicrës duke pasur epërsinë në një ndeshje të komplikuar falë një perle nga Casemiro në finale. Në minutën e 83-të, një goditje me të djathtën, e devijuar nga Akanji, theu rezistencën e zviceranëve të udhëhequr nga Yakin, të cilët hynë në fushë duke synuar barazimin dhe nuk ishin asnjëherë të rrezikshëm. Zviceranët mbeten në tri pikët dhe në xhiron e radhës do të luajnë me Serbinë.

Kështu pas Francës vjen edhe Brazili. Botërori i Katarit nuk fsheh shumë surpriza dhe dy kombëtaret e para të kualifikuara në fazën e 16-shes sigurisht që janë ndër favoritët për fitoren finale. Seleçao e Tite duhej të fitonte betejën kundër Zvicrës në një ndeshje të dominuar nga pikëpamja teknike, por e vështirë për t'u fituar për shkak të kundërvënieve fizike, të rregullta dhe agresive të zviceranëve. U desh një lojë e shpejtë dhe një e djathtë praktikisht në këndin e sipërm që Brazili të sillte në shtëpi një 1-0, duke lënë vend për argëtim të pastër vetëm në minutat e fundit kundër një Zvicre të rraskapitur, të paaftë për të reaguar.

STATISTIKA

  • Brazili u bë skuadra e dytë që nuk pranoi asnjë goditje në portë në dy ndeshjet e para të një Botërori që nga viti 1966, pas Francës në 1998.
  • Goli i Casemiro në minutën e 83-të është goli i dytë më i vonë i Brazilit në Kupën e Botës, pas golit të Coutinho-s në minutën e 90-të kundër Kosta Rikës në vitin 2018.
  • Brazili u bë skuadra e parë që nuk humb në 17 ndeshje të fazës së grupeve të Kupës së Botës.
  • Zvicra nuk arriti të shënonte në një ndeshje kundër Brazilit për herë të parë që nga dhjetori i vitit 1980 (humbje miqësore 0-2), pasi kishte shënuar saktësisht një gol në secilën nga 6 ndeshjet e fundit para ditës së sotme.
  • Zvicra ka fituar vetëm një nga nëntë ndeshjet e saj në Kupën e Botës kundër skuadrave të Amerikës së Jugut, 2-1 kundër Ekuadorit në 2014 në Brasilia.
  • Vetëm Gabriel Jesus (21 vjeç e 80 ditë kundër Kosta Rikës) është më i ri se Rodrygo (21 vjeç 323 ditë) në mesin e lojtarëve brazilianë që janë përfshirë në një gol në një ndeshje të Kupës së Botës në shekullin e 21-të.
  • Brazili gjuajti për herë të parë në këtë ndeshje vetëm në minutën e 27-të të lojës, nëpërmjet Vinícius Júnior: vetëm kundër Kamerunit në vitin 1994 ata kishin pritur më shumë minuta (32) për të bërë goditjen e tyre të parë në një ndeshje të Kupës së Botës që nga viti 1966.