RTSH Sport Live

Maqedonia e Veriut “flet” shqip

  • 16/05/2021
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut “flet” shqip
Shkëndija e Gjokës fiton titullin, 3 skuadra shqiptare në Europë

Maqedonia e Veriut flet shqip. Shkëndija e Tetovës fitoi titullin kampion duke kurorëzuar një kampionat perfekt që prej javës së parë dhe deri në uljen e siparit me javën e 33-të.

Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka u ndal në barazim 1-1 në takimin e fundit të sezonit përballë Shkupit, ndeshje e cila u transformua në festë totale pasi kuqezinjtë e kishin siguruar matematikisht trofeun që në javën e 29-të.

Një ecuri e jashtëzakonshme nën drejtimin e teknikut shqiptar, i cili e mbylli me plotë 16 pikë diferencë edicionin në raport me Shkupin e vendit të dytë.

Ky titull ishte i katërti në histori për Shkëndijën e Tetovës, dhe i treti brenda 4 sezoneve të fundit radhazi.

Ndërkohë, dominimi i skuadrave shqiptare në kampionatin e Maqedonise së Veriut është mëse i prekshëm, me plotë 3 ekipe të renditura në 3 vendet e para për herë të parë në histori, dhe kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Kështu, përveç Shkëndijës kampione, në vendin e dytë është pozicionuar Shkupi me 59 pikë, ndërsa në vendin e tretë renditet Struga, ekip që ia doli të marrë suksesin vendimtar në javën e fundit, 0-1 përballë Sileks. Goli u shënua nga Jahja në minutën e 67-të.