RTSH Sport Live

Medaljet e “Paris 2024” krijohen me hekurin origjinal të Kullës Eifel

  • 08/02/2024
  • |
  • Evente Sportive
Medaljet e “Paris 2024” krijohen me hekurin origjinal të Kullës Eifel

Të enjten e 8 shkurtit organizatorët e Lojërave Olimpike “Paris 2024” kanë prezantuar medaljet që do t’u jepen sportistëve që do të ngjiten në podiumet e kësaj olimpiadë. Çdo medalje, ari, argjendi dhe bronzi, do të ketë në përbërje një copë të vogël hekuri nga Kulla Eifel, e ngritur në 1889.

Në medalje, simboli i Kullës Eifel është gdhendur në një gjashtëkëndësh, forma gjeometrike që evokon Francën deri në atë pikë sa bëhet një nga pseudonimet e saj. Janë prodhuar gjithsej 5084 medalje, me një diametër prej 85 milimetrash dhe trashësi 9.2 mm. Për to janë përdorur 18 g hekur të Kullës Eifel. Pesha e medaljes së artë do të jetë 529 g, e asaj të argjendtë 525 g dhe ajo e bronxtë do të peshojë 455.

Presidenti i komitetit Orgnizativ të “Paris 2024”, Tony Estanguet, shpjegon se këto medalje janë unike. "Gjëja më e veçantë e këtyre medaljeve është se ato do të kenë një pjesë të metalit origjinal të Kullës Eifel. E kjo në fakt është ajo që ne synonim të bënim: t'i gdhendnim këta sportistë në 2024-n në një metal me shumë vlerë historike".