RTSH Sport Live

Megi Doçi: Do ta përballojmë Paris Sen Zhermenin

  • 23/11/2022
  • |
  • UEFA Champions League
Megi Doçi: Do ta përballojmë Paris Sen Zhermenin
Në prag të ndeshjes në grupet e Ligës së Kampioneve, sulmuesja shkodrane shfaqet në “Sot në Botëror”

Megi Doçi, golashënuesja më e mirë e Vllaznisë, ka qenë e ftuar në emisionin “Sot në Botëror” në RTSH Sport, që drejtohet nga Pejana Elezi dhe Sabina Meta. Që nga Parisi, aty ku sot në mbrëmje në ora 18:45, Vllaznia do të luajë ndeshjen e tretë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve me kampionet e Francës, Doçi në lidhje Skype do të tregonte gjendjen e kuqebluve në prag të këtij takimi.

"Situata është shumë e mirë në ekip. Po e presim me shumë emocione ndeshjen dhe e kemi përgatitur shumë mirë. Kanë qenë ditët e fundit dhe ekipi është përgatitur vetëm taktikisht. Kemi disa mungesa për shkak dëmtimesh, por mendoj se ekipi është i përgatitur mirë dhe i gatshëm për të dhënë maksimumin në fushën e lojës”, ka theksuar Doçi.

Për Doçin është eksperiencë maksimale pjesëmarrja në grupet e Ligës së Kampioneve.

"Është eksperiencë emocionuese, por është dashur shumë punë për të arritur këtu dhe shumë përkushtim për të mbërritur në nivelet e larta të futbollit europian. Kemi përballë ekipet më të forta të Europës. Është nder për ne, por njëkohësisht dhe shumë sakrificë, sepse janë ekipe me shumë financa brenda dhe duhet të jesh shumë i fortë t'i përballosh", thotë Doçi

Nga sulmuesja kryesore e Vllaznisë ka ardhur dhe një konsideratë për kundërshtarin.

"Paris Sen Zhermen është ekip shumë i fortë, sepse ka shumë financa brenda. Ka lojtare shumë të mira nga ato që i përzgjedh dhe Çelsi, apo Real e aktualisht Paris. Mendoj se skuadra e ka përgatitur mirë ndeshjen, sidomos taktikisht. Stafi teknik e ka studiuar kundërshtarin. Shpresojmë që skuadra të luajë mirë taktikisht dhe të marrim një rezultat pozitiv", nënvizon Doçi. 

E sakaq ish-futbollisti i Tiranës dhe i kombëtares, Elvis Sina, i ka kërkuar shkodraneve që ta shijojnë këtë mundësi që u është dhënë për të përfaqësuar futbollin shqiptar në grupet e Ligës së Kampioneve. Dhe Doçi ka patur këtë përgjigje:

“Është me të vërtetë emocionuese që ndeshesh me këto ekipe, por dhe një sfidë sepse janë ekipe të mëdha dhe është e vështirë të përballesh me to. Kanë financat, kanë reklamat e kanë çdo gjë në maksimum. Në Shqipëri janë pak njerëz, mbi të gjitha pasionantë që mbështesin futbollin, sidomos atë të vajzave”.

Por një mesazh mbështetës, për të cilën Megi Doçi ka qenë falënderuese, ka ardhur dhe nga artisti Mateus Frroku. E përtej Ligës së Kampioneve, Doçi ka treguar se e ndjek Botërorin në Katar.

"Jam tifoze me Gjermaninë", ka përfunduar Doçi.