RTSH Sport Live

Mikel Canka akuzon Lushnjën, lartëson Tomorin

  • 29/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Mikel Canka akuzon Lushnjën, lartëson Tomorin
Sulmuesi i skuadrës së Tomorit, i pranishëm në emisionin “E Hëna Sportive” në RTSH

Mikel Canka në të gjithë fushën, nga akuzat për Lushnjën, me të cilën ka luajtur më parë, tek pretendimet që ka me skuadrën aktuale, Tomorin e Beratit. Sulmuesi aktual i skuadrës beratase, ishte protagonist në ndeshjen e fundit, teksa shënoi golin e fitores përballë Egnatias kryesuese, duke bërë që kampionati në Grupin B të konsiderohet plotësisht i hapur. I pranishëm në emisionin “E Hëna Sportive” në RTSH, Canka ka deklaruar:  “Objektivi ka qënë që të renditemi mes katër skuadrave më të mira, por fati na buzëqeshi dhe tani le të shikojmë më lartë

Fitorja me Egnatian - “Kishim gjithë javën që kishim punua për këtë sfidë, e kishim përgatitur nga ana emocionale, teknike, në çdo gjë. U grumbulluam në Berat një ditë para sfidës, ishte një ndeshje që mezi po e prisnim të gjithë. Edhe mbështetja financiare nuk na ka munguar, morëm premio. Treguam vlerat tona, hapëm dhe kampionatin”.

“Çfarë kishim më shumë se kundërshtari? Shpirtin e garës dhe volum loje që nga minuta e parë deri në të fundit. Skuadra nuk u dorëzua, tregoi forcën e vet. Jemi një ekip që në fazën e dytë kemi treguar shumë forcë, për këtë jemi të kënaqur. Do vazhdojmë punën tonë deri në fund, të marrim ndeshjet një nga një”.

“E nisëm pak keq sezonin, por vazhduam punën tonë. Në përbërje ka lojtarë që kanë luftuar gjithmonë për Superligë, ose kanë luajtur në Superligë, nuk janë mësuar të qëndrojnë në nivele të tilla. Jemi të kënaqur me situatën aktuale. Tani kemi pretendime të mëdha, jemi afruar, largësia është vetëm dy pikë. Përse nuk duhet të përmendim fjalën elitë! Ky është Tomori që duan të gjithë, me ambjentin me grupin e lojtarëve, me trajnerin, mbështetësit tanë. Tifozët vijnë dhe na mbështesin gjithmonë në stërvitje”.

“E ardhmja? Marëdhëniet e mia me Tomorin janë shumë të mira. Nuk mund të flas para kohe, por me 90% mendoj se do të qëndroj atje. Nëse do jemë në Shqipëri, me 90% do të qëndroj tek Tomori, ndihem si në shtëpinë time”.

Lushnja dhe padrejtësia e pretenduar - “Lushnja? Është skuadra e qytetit tim, më dhimbset, por kështu është ndërtuar, kështu do të përfundojë. E kanë përdorur këtë ekip dhe kështu do të përfundojë, madje akoma më poshtë do të përfundojë. Janë trajnerët që kanë bërë zgjedhje të tilla, sepse shumë lojtarë kanë ikur, kështu që… Bashkia të mbajë përgjegjësitë e veta”.

“Jam larguar nga Lushnja, më është mbajtur djersa ime, nuk mund të rrija më aty. Unë kam dhënë për atë qytet, më është mbajtur djersa ime, që arritën ti mernin më mbrapa dhe i dërguan në shtëpite e tyre… djersën time. Kështu që, kur bën keq gjen dhe keq”.

“Në Lushnje ka premio që meren nga Bashkia në bazë të fitoreve. Kur unë kam djersitur edhe iki, besoj se më takojnë akoma ato premio se i kam në kontratë. Ata i marrin, unë nuk i marr, është e drejtë kjo? I akuzoj të gjithë, të gjithë çfarë janë atje, nuk përjashtoj asnjërin, të gjithë me këto gjëra merren”.