RTSH Sport Live

Qatip Osmani: Shkarkimi, vendim i papritur

  • 26/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Qatip Osmani: Shkarkimi, vendim i papritur
Reagon ish-trajneri i Vllaznisë: “Largohem me kokën lart nga kuqeblutë”

Vllaznia shkarkoi trajnerin Qatip Osmani pas eliminimit në Kupën e Shqipërisë. Në një komunikatë për mediat tekniku 54 vjeçar thekson se shkarkimi nga drejtuesit e klubit shkodran ishte i papritur. Osmani shton se Vllaznia nën drejtimin e tij u rikthye konkurruese dhe se është në garë për të fituar titullin kampion këtë sezon.

Eliminimi në Kupën e Shqipërisë i kushtoi pozicionin trajnerit Qatip Osmani, i cili u shkarkua nga drejtimi i skuadrës së Vllaznisë. Në një kominkatë zyrtare për mediat tekniku 54 vjecar shprehet se vendimi i klubit shkodrane për ta shkarkuar ka qenë i papritur për të.

“Kontrata ime me Vllazninë skadonte në fund të kampionatit dhe në bazë të arritjeve do të diskutonim për vazhdimin e bashkëpunimit. Vendimi për të ndërprerë marrëdhënien e punës para kohe dhe në këtë pikë të sezonit ishte i papritur për mua, pasi ishim në rrugë të mirë drejt objektivit që në momentin e firmosjes së bashkëpunimit më kishin vendosur të ishte dalja në Evropë, derisa ne kishim shanse reale për titull”.

Osmani në komunikatën zyrate ka shtuar se largohet me kokën lart nga klubi shkodran duke falenderuar të gjithë bashkpuntorët tek skuadra e Vllaznisë.

“Largohem me kokën lartë për punën dhe përpjekjet e bëra gjatë kësaj periudhe, krenar për arritjen dhe faktin ku e morëm dhe ku po e lame Vllazninë. Dua të falënderoj në veçanti futbollistët, stafin teknik, njerëzit që më kanë mbështetur, mediat për bashkëpunimin e tyre korrekt, si dhe tifozerinë shkodrane dhe qytetin e Shkodrës për pritjen dhe mbështetjen e tyre gjatë kësaj periudhe”.

Qatip Osmani e drejtoi vllaznine ne 36 takime duke regjistrojë 23 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje ne stolin e kuqebluve.