“Mirënjohje” për Zyhdi Çobën në 80-vjetorin e lindjes, por dhe në 65-vjetorin e kontributit të tij si sportist dhe mjek i ekipeve sportive të Vllaznisë dhe skuadrave kombëtare. Bashkia Shkodër, por dhe Federata Shqiptare e Futbollit janë bërë bashkë në ceremoninë që është zhvilluar në zyrën e kryebashkiakut Bardh Spahia
“Vlerësim maksimal edhe për punën e kontributin e jashtëzakonshëm që ke dhënë jo vetëm për skuadrat e klubit Vllaznia, por edhe për qytetin e Shkodrës. Doktor Zyhdin e kemi tashmë simbol të qytetit tonë”, ka thënë kryebashkiaku Spahia.
Bardhyl Jera, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, dhe Sulejman Starova, Drejtor i sektorit të Edukimit në FSHF, në emrin e presidentit Armand Duka kanë dorëzuar Pllakatën për doktorin Zyhdi Çoba, së bashku me uniformën e ekipit kombëtar dhe fanellën me numrin 80.
"Për mua jeni një legjendë e gjallë mes nesh sepse vepra dhe puna jote që edhe sot e në vazhdimësi je një person vital, i cili është për t'u marrë shembull nga të gjithë", nënvizoi Jera
“Edhe unë kam pas fatin të punoj që i vogël e me buzët me qumësht me doktorin", tregon Starova.
E në fund, pasi kanë ardhur një sërë vlerësisht nga ish-futbollistë të Vllaznisë, Zyhdi dhe Kydret Çoba kanë falënderuar të gjithë miqtë që erdhën në këtë 80-vjetor të lindjes së mjekut sportiv shkodran. “Këto vlerësime më rrisin moralin dhe të zgjasin jetën”, tha mes emocionesh të mëdha Zyhdi Çoba
“Shumë faleminderit për të gjithë respektin që keni për bashkëshortin tim Zyhdinë, i cili besoj se, edhe nga fjalët që thanë të tjerët, i ka plotësuar aty detyra që duhet", vlerëson bashkëshortja Kydret.