RTSH Sport Live

Modriç kritikon formulën, thumbon Italinë

  • 25/12/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Modriç kritikon formulën, thumbon Italinë
“Ajo që ka bërë Kroacia në dy Botërorët e fundit, më e madhe se fitimi i Evropianit”

“Ajo që ka bërë Kroacia në dy Botërorët e fundit është më e madhe se fitimi i Evropianit”. Kështu ka deklaruar ylli i përfaqësueses kroate të futbollit, Luka Modriç, duke folur pas përfundimit të Kampionatit Botëror të Katarit rreth përvojës së tij. Ndonëse ka marrë pjesë në vetëm 6 edicione të fazës finale të një Botërori që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990-të, Kroacia ka sfiduar gjasat, duke arritur 3 herë në 4-shen finale të veprimtarisë më prestigjioze të futbollit në planet. Më 1998-ën në Francë, ballkanasit morën një medalje bronzi, ashtu sikundër bënë edhe në Botërorin e këtij viti në Katar, ndërsa në 2018-ën Modriç dhe shokët e tij arritën deri në finale, ku u mposhtën nga Franca.

Kështu, mesfushori i Real Madridit udhëhoqi Kroacinë në finalen e Botërorit të edicionit të shkuar, kurse këtë herë u ndal në vendin e tretë. Ndeshja për vendin e 3-të dhe të 4-t ndaj Marokut ishte me shumë gjasa e fundit e tij në një Botëror, ndonëse ai ka theksuar se do të vijojë të luajë me ekipin përfaqësues. “Për mua, ajo që ka bërë Kroacia në 2 Botërorët e fundit është më e madhe se fitimi i një Kampionati Evropian”, - ka thënë Modriç, duke folur për një televizion kroat.

“Si duhet ta konsiderojmë si një trofe të madh kur skuadra e 3-të në grup kalon dhe fituesi nuk kualifikohet as për në Botëror?!”, ka vijuar ai, duke kritikuar formulën e veprimtarisë kontinentale dhe duke thumbuar tërthorazi edhe Italinë, e cila triumfoi në “Euro 2020”-ën, por nuk arriti të siguronte një vend në “Katar 2022”.