Las Vegas, qyteti i ëndrrave do të ofrojë diçka më shumë se e zakonshmja, të dielën e 3 marsit. Ndeshja midis Nadal dhe Alcaraz do të sjellë miliona dollarë. Përtej kontributit të madh që do të marrin dy tenistët spanjollë, do të ketë edhe shumë iniciativa të tjera që do të lëvizin një shumë të madhe dollarësh. Quhet Netflix Slam dhe protagonistë në të do të jenë dy yjet e tenisit spanjoll dhe atij botëror, Carlos Alcaraz dhe Rafael Nadal. Por përveç biletës së thjeshtë për të parë ndeshjen do të ketë edhe super paketa VIP të rezervuara për personat që do të qëndrojnë në hotelin luksoz, në ambjentet e të cilit do të zhvillohet ndeshja. E për disa njerëz të privilegjuar do të jetë e mundur të marrin mësime private tenisi nga dy fenomenët spanjollë. Dhe çmimet janë më të shtrenjta se sa mesatarja e një ore mësimi tenisi. Bëhet fjalë për 150 mijë dollarë, pak më shumë se 138 mijë euro, për një orë mësimi. Programi përfshin edhe një orë mësimi në grup, me një çmim dukshëm më të volitshëm, "vetëm" 50 mijë dollarë, pak a shumë 45 mijë euro.