RTSH Sport Live

NBA, Lakers bien në Nju Orlins, fitojnë Warriors, Nets dhe Bucks

  • 05/02/2023
  • |
  • Basketboll
NBA, Lakers bien në Nju Orlins, fitojnë Warriors, Nets dhe Bucks

James shënoi 27 pikë duke shkurtuar vetëm në 36 pikë distancën që e ndan me pikëshënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në NBA, Kareem Adbul-Jabbar. Kjo ishte e vetmja notë pozitive e mbrëmjes për Lakers, të cilët u mundën nga Pelicans në një duel mjaft të luftuar.

Nets morën një fitore të vlefshme përballë Uashington Wizards edhe pse mungonte Irving. Ky i fundit, u deklarua i dëmtuar, por duket se është më pranë se kurrë largimit nga Bruklini pasi prej katër ditësh ka kërkuar që të futet në merkato. Në mungesë të tij heroi i mbrëmjes ishte Cam Thomas, autor i 44 pikëve. Falë tij Nets arritën që të merrnin një fitore të madhe pasi rregjistruan plot 70 pikë në dy periodat e fundit.

Mbrëmë Bucks morën fitoren e shtatë radhazi përballë një formacioni të fortë siç është ai i Heat. Më i miri për ekipin nga Miluoki ishte  Giannis Antetokounmpo me 35 pikë, 15 topa në tabelë dhe 11 asist. Për ekipin e Majemit rënduan shumë mungesat e disa lojtarëve. Për shkak dëmtimesh trajneri Erik Spoelstra kishte vetëm 9 lojtarë në dispozicion.

Mbrëmja ishte e hidhur për kampionët në fuqi, të cilët edhe pse fituan ndaj rivales të Konferencës të Perëndimit, Dallasit, janë në ankth për shkak të dëmtimit që detyroi Curry-n të braktiste parketin para kohe. Lojtari më i mirë për ekipin nga San Francisko pasi kishte shënuar 21 pikë u detyrua të largohej pasi kishte dhimbje në këmbën e majtë.

Ndeshjet NBA (5 Shkurt)

NEW ORLEANS PELICANS-LOS ANGELES LAKERS 131-126

BROOKLYN NETS-WASHINGTON WIZARDS 125-122

DETROIT PISTONS-PHOENIX SUNS 100-116

NEW YORK KNICKS-L.A. CLIPPERS 128-134 (kohë shtesë)

CHICAGO BULLS-PORTLAND TRAIL BLAZERS 129-121

MILWAUKEE BUCKS-MIAMI HEAT 123-115

OKLAHOMA CITY THUNDER-HOUSTON ROCKETS 153-121

GOLDEN STATE WARRIORS-DALLAS MAVERICKS 119-113

DENVER NUGGETS-ATLANTA HAWKS 128-108