RTSH Sport Live

NBA, Morant super përballë Lakers, Bucks fitojnë të 15 radhazi

  • 01/03/2023
  • |
  • Basketboll
NBA, Morant super përballë Lakers, Bucks fitojnë të 15 radhazi

Shkurti ka qenë perfekt për Bucks pasi e mbyllën me fitoren e 10 në po kaq takime të mbajtura në këtë muaj. Nëse konsiderojmë edhe takimet e janarit për ekipin e Miluokit numri i fitoreve radhazi shkon në 15. Falë një marshi të tillë ekipi i Bucks është në krye të Konferencës të Lindjes. Ndeshjen e fundit ata mposhtën ekipin e Nets. Për ekipin nga Bruklin nuk mjaftuan 31 pikët e Mikal Bridges dhe 26 pikët e Spencer Dinwiddie për të evituar humbjen e shtatë në nëntë ndeshjet e fundit. Sa i përket ekipit kryesues përveç fitores pati dhe një arsye tjetër për të qenë optimist pasi mbrëmë në parket u rikthye edhe Giannis Antetokounmpo. Greku ishte autor i një gare mjaft të mirë pasi 33 pikë dhe 15 topa të fituar në tabelë mbajnë emrin e tij.

Sa i përket Konferencës të Perëndimit tërhoqi vëmendjen dueli mes Memfis dhe Lakers. Ekipi i Grizzlies fitoi me autoritet duelin duke detyryar Lakers që të mendojnë se zona “play-in” pa shërbimet e James mund të jenë një mirazh. Lojtari i ndeshjes siç pritej ishte Ja Morant, autor i plot 39 pikëve. Për Memfis kjo ishte fitorja 26 sezonale në shtëpi. Vetëm Denver ka bërë më mirë deri më tani në NBA në takimet e luajtuar në fushën e vet.

Në “Chase Center” të San Franciskos u luajt një ndeshje me dy “fytyra” mes vendasve të Golden Stejt dhe miqve nga Portland. Blazzers nisën mjaft mirë duelin duke shkuar deri në 23 pikë avantazh, por kampionët në fuqi reaguan duke fituar një betejë që u jep moral për pjesën e mbetur të sezonit. Lillard shënoi “vetëm” 25 pikë për Portland ndërsa për ekipin kampion decisiv ishin 29 pikët e Jordan Poole, 23 të tjera të Klay Thompson dhe 21 pikët e Donte DiVincenzo-s.

Ndeshjet NBA (28 Shkurt)

ATLANTA HAWKS-WASHINGTON WIZARDS 115-119

BROOKLYN NETS-MILWAUKEE BUCKS 104-118

TORONTO RAPTORS-CHICAGO BULLS 104-98

MEMPHIS GRIZZLIES-LOS ANGELES LAKERS 121-109

HOUSTON ROCKETS-DENVER NUGGETS 112-133

OKC THUNDER-SACRAMENTO KINGS 117-123

DALLAS MAVERICKS-INDIANA PACERS 122-124

UTAH JAZZ-SAN ANTONIO SPURS 94-102

GOLDEN STATE WARRIORS-PORTLAND TRAIL BLAZERS 123-105

L.A. CLIPPERS-MINNESOTA TIMBERWOLVES 101-108