Një nga objektet sportive më historike të Francës, stadiumi i Colombes (Kolomb) në veriperëndim të kryeqytetit ishte vendi kryesor kur Parisi priti Lojërat Olimpike në vitin 1924. Pas rinovimit të plotë, vendi rimori një pjesë të lavdisë së tij të mëparshme, pasi aty do të luhen disa ndeshje gjatë olimpiadës së kësaj vere.
Stadiumi i rinovuar Yves-du-Manoir (Ive dy Manua) në Colombes u përurua këtë javë, në prani të kreut të komitetit organizativ të Lojërave Olimpike të Parisit, Tony Estanguet, ministres franceze të sportit Amélie Oudéa-Castéra dhe personaliteteve të tjera. Stadiumi në Colombes do të jetë i vetmi vend i Olimpiadës Paris 2024 që do të presë një olimpiadë për herë të dytë. Stadiumi shekullor iu nënshtrua 22 muajve rinovim.
U ndërtuan dy fusha sintetike për hokej në bar, njëra me vende për 1000 spektatorë. Stendat me 6000 spektatorë në fushën kryesore, një mbetje e stadiumit origjinal, u riparuan dhe do të plotësohen me tribuna të përkohshme të instaluara për Lojërat. Një shekull më parë, stadiumi Colombes ishte epiqendra e Lojërave të Parisit, madje ishte vendi i ceremonisë së hapjes më 5 korrik 1924.
Në olimpiadën e tetë të epokës moderne, në vitin 1924, morën pjesë 3,089 atletë, 135 prej të cilëve ishin gra, që përfaqësonin 44 kombe dhe konkurruan në 17 sporte. Aty u zhvilluan ndeshje futbolli, gara me kuaj, regbi, gjimnastikë etj. Në atë kohë, ishin "finlandezët fluturues" ata që dominonin garat në distanca të mesme dhe të gjata.
Paavo Nurmi dhe bashkëkombasi i tij Ville Ritola fituar nëntë medalje të arta mes tyre. Rivaliteti më i njohur nga Lojërat e vitit 1924 ishte midis sprinterëve britanikë Harold Abrahams dhe Eric Liddell. Ky i fundit la gjurmë në atë olimpiadë sepse hoqi dorë nga vrapimi të dielën për arsye fetare.
Ai hoqi dorë nga gara e 100 metrave, për të cilën ishte një nga favoritët, dhe garoi në 400 metra. Aty ai jo vetëm që fitoi medaljen e artë, por theu edhe rekordin botëror për këtë disiplinë. I lindur në Kinë nga prindër misionarë skocezë, vetë Liddell u bë ministër dhe u kthye në Kinë, ku vdiq në një kamp përqëndrimi japonez në vitin 1945.