RTSH Sport Live

Nuk e njohin Kosovën, por janë të detyruar të luajnë

  • 08/12/2020
  • |
  • Boterori Katar 2022
Nuk e njohin Kosovën, por janë të detyruar të luajnë
Ministrja e jashtme e Spanjës, González Laya: “Një çështje që zgjidhet me rregullat e FIFA-s”

Nuk e njohin si shtet, por në këtë rast janë të detyruar të luajnë kundër. Pozicionimi i Kosovës në grupin B për eleminatoret e Botërorit Katar 2022 ka trazuar situatën, në kohë kur aty janë tre shtete që nuk e njohin pavarësinë e dardanëve: Spanja, Greqia e Gjeorgjia e megjithatë sipas ministres së Punëve të Jashtme, González Laya, kjo është një çështje që zgjidhet me rregullat e FIFA. “Ato janë rregullat e tyre, nuk janë ato të së drejtës ndërkombëtare në lidhje me njohjen e shteteve. Kjo është arsyeja pse në FIFA ka konkurrentë si Ishujt Faroe, Uellsi, Skocia, Irlanda e Veriut ose Gjibraltari, të cilët nuk janë shtete”, citohet ajo në faqet e AS.

"Spanja padyshim që nuk e njeh Kosovën si një shtet të pavarur, por kjo nuk do të thotë që Spanja nuk merr pjesë në turnetë në të cilat merr pjesë Kosova", tha ajo. Në fakt tani e gjithë çështja është puna me FIFA-n për të vendosur cilat do të jenë kushtet për pjesëmarrjen e Kosovës dhe si do të zhvillohen ndeshjet në të cilat Spanja luan me Kosovën, por kjo nuk do të thotë se ndryshon ndonjë gjë në pozicionin e qeverisë spanjolle.

 “Kosova e di atë dhe Spanja gjithashtu. Ne nuk e njohim atë si një shtet të pavarur, por kjo është çështje e të drejtës ndërkombëtare, tani do të diskutojmë me FIFA siç bëjmë gjithmonë, sipas rregullave të futbollit, sepse futbolli dhe e drejta ndërkombëtare janë dy botë të ndara", përfundoi Ministrja e Punëve të Jashtme spanjolle.

Ndërkohë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, tha se përkundër faktit që Spanja, Greqia dhe Gjeorgjia nuk e njohin vendin e tyre si shtet, ai pret që iberikët të luajnë në Prishtinë. Në maj të vitit 2019, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi që ekipet që nuk dëshirojnë të luajnë kundër klubeve ose ekipeve kombëtare të Kosovës në territorin e tyre mund ti organizojnë ndeshjet e tyre brenda në territor neutral, por duhet të pranojnë ti luajnë ndeshjet e kthimit në Kosovë.