RTSH Sport Live

Osvaldo në gjendje të rëndë, alkol, drogë dhe depresion

  • 14/03/2024
  • |
  • Të tjera
Osvaldo në gjendje të rëndë, alkol, drogë dhe depresion
Ish-futbollisti, i cili pasi la futbollin nisi karrierën e tij muzikore, po kalon një periudhë shumë të vështirë

Daniel Osvaldo po kalon një periudhë shumë të vështirë në jetën e tij. Ish-futbollisti i Romës, Boca Juniors por edhe i kombëtares italiane vetëm pak orë më parë ndau në Instagram një video në të cilën shfaqej me një shpërthim të gjatë dhe ku fliste i përlotur për varësitë dhe shëndetin e tij mendor.

"Më duhet të bëj disa rrëfime për jetën time, për disa vendime. Është e vështirë për mua por mendoj se ka ardhur koha sepse jam mjaft i dëshpëruar dhe nuk jam fare mirë. Ndjej nevojën të them që kam disa kohë që luftoj me depresionin që më ka çuar ne disa vese, alkool dhe drogë, ndjej që jeta po më del nga kontrolli”.

“Ajo që dua të tregoj dhe të ndaj me ju është se po bëj një mjekim psikiatrik, marr ilace, kam një sëmundje specifike, humbje të vetëbesimit, depresion dhe shumë herë i kthehem veseve të mia, bie në vetëshkatërrim dhe praktikisht jetoj vetëm i mbyllur në shtëpi”.

“Nuk shkoj askund, nuk më intereson të dal nga krevati, të dal nga dhoma ime. Rashë në varësi shumë të këqija të cilat vetëm e përkeqësuan depresionin tim, më dhemb që nuk dua të ndaj gjërat me familjen time, fëmijët e mi”.

“Këtë e them, jo për të luajtur viktimën, por që të gjithë të kuptojnë arsyen e vendimeve të mia të gabuara, jam duke iu nënshtruar një trajtimi psikiatrik, por është e vështirë të dal nga kjo. Bie sërish në varësi dhe distancohem nga njerëzit që dua. Në të kaluarën kam qenë një top futbollist, kam qenë një person krejtësisht tjetër, krenar dhe me vetëbesim. Ky është një person që nuk e njoh".

"Më kushton shumë të hapem, të dal nga realiteti i ndërtuar në kokën time. Është shumë e vështirë të dallosh çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Nuk mund të dal vetëm prej saj, dua të dal nga kjo, dua të kthehem në atë që kam qenë më parë. Tani nuk di si të dal nga kjo shtëpi, nuk kam një punë të qëndrueshme, kam shpenzuar të gjitha paratë e mia. Kam qenë gjithmonë një shok i mirë, një partner i mirë, shpresoja të isha një baba i mirë”.

Në mbyllje, Osvaldo ndjen se i detyrohet një falje familjes së tij por edhe ish-partneres së tij, gazetares Daniela Ballester, me të cilën së fundi i dha fund lidhjes: “Kërkoj falje miqve të mi, familja, fëmijëve dhe Danielës. Shpresoj që tani që të gjithë e dinë se çfarë po kaloj do të më ndihmojnë. Kërkoj të kthehem në atë që kam qenë më parë dhe asgjë më shumë".