RTSH Sport Live

Partizani, Daja e ka një zgjidhje: Kukësin e mundim me tifozë

  • 16/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Daja e ka një zgjidhje: Kukësin e mundim me tifozë
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Kukësin

Partizani do të zbresë të dielën në fushën e stadiumit “Air Albania” ku do të presë Kukësin, ora 16:45, takim i vlefshëm për javën e pestë të Superiores. Në prag të kësaj sfide, në konferencë për shtyp, trajneri i të kuqve, Ilir Daja ka theksuar rëndësinë e saj si dhe mënyrën për të pretenduar suksesin.

“Ndërprerja prej dy javësh e kampionatit ka të mirën e vet, sepse lojtarët akumulojnë energji dhe riaftësohen. Po ka dhe anën jo të mirë, pasi dy apo tre lojtarë kanë qënë të impenjuar me U21 dhe janë bashkuar me grupin vetëm të mërkurën. Gjithsesi, kemi patur mundësinë të rikuperojmë lojtarë të rëndësishëm si Zhunior, Kaçe dhe Musta, të cilët tashmë janë bashkuar me grupin”.

“Kukësi është një skuadër që i ka merituar pikët, sepse e ka justifikuar me lojërat që ka zhvilluar. Kanë instaluar një manovër ku përfshihen të gjithë lojtarët. Për të fituar nesër do na duhet të kemi nerva të forta dhe të shfrytëzojmë pikat e dobëta që ka kundërshtari. Do e interpretojmë lojën me qetësi dhe do të shfrytëzojmë momentet tona për të arritur te fitorja”.

“Air Albania? Ne i kemi zhvilluar ndeshjet si pritës në një stadium shumë të mirë siç është Elbasan Arena. Të gjithë i dimë kushtet e Air Albania, që janë përmirësuar. Është një ambjent ku do na duhet mbështetja e tifozëve tanë, sepse stadium të krijon kushte optimale në të gjitha drejtimet, për të krijuar një shfaqje të bukur, sepse të dyja skuadrat luajnë hapur. Besoj se mbështetja nga ana e tifozëve do të jetë e madhe. Një suport i madh i tyre do na japë një motivim akoma më të madh për të shkuar drejt fitores”.