RTSH Sport Live

Partizani, golat në ekstrem

  • 5 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, golat në ekstrem
Të kuqtë kanë siguruar 7 pikë “ekstra” pas minutës së 90-të, plus gjysmëfinalen e Kupës

Partizani shënoi në minutën e 91-të kundër Skënderbeut, duke marrë fitoren në ekstrem. Ishte rasti i gjashtë në këtë sezon, përfshirë çerekfinalen e Kupës, që të kuqtë shënojnë pas minutës së 90-të, duke siguruar shtatë pikë në favor të tyre.

Partizani u kthye te fitorja që i mungonte prej shtatë ndeshjesh, kur Eleke shënoi në portën e Skënderbeut në minutën e 91-të të ndeshjes së luajtur në Korçë për javën e 29-të të kampionatit, duke realizuar përmbysjen pas disavantazhit. Një gol i shënuar në ekstrem që e bën edhe më emocionuese fitoren, por për të kuqtë nuk është një rast i rrallë.

Më 25 shkurt, Partizani shmangu shtesën në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, kundër Laçit, falë golit të shënuar në minutën e 90-të nga Keko, që vendosi fitoren 2-1, pasi ndeshja e parë ishte mbyllur pa gola. Në kampionat, për javën e 24-t, më 9 shkurt, Partizani i mohoi fitoren Tiranës me golin e shënuar nga Sembene në minutën e 90-të, duke e mbyllur ndeshjen në barazim 1-1.

Po në barazim 1-1 u mbyll edhe derbi tjetër, kundër Dinamos, për javën e 22-të, më 25 janar. Autor i golit që i dha pikën Partizanit ishte Bintsuka, në minutën e 92-të. Në të njëjtën minutë shënoi Mba në Loro Boriçi kundër Vllaznisë, e cila ishte duke fituar 2-1, për javën e dhjetë, më 26 tetor.

Ndeshja e parë në këtë kampionat ku Partizani shënoi në ekstrem ishte sërish kundër Skënderbeut, në javën e dytë, më 25 gusht, fituar me të njëjtin rezultat, 2-1, kur Mehmeti i dha fitoren e parë. Janë gjashtë ndeshje që Partizani ka shënuar në fund, pesë prejt tyre në kampionat, ku ka arritur dy fitore e tre barazime, me shtatë pikë të siguruara.

Veç këtyre, Partizani shënoi edhe javën e katërt, më 12 shtator, kundër Dinamos, në minutën e 91-të, me anë të Rrapajt, që i dha avantazhin 2-1, por blutë u përgjigjën në minutën e 95-të, duke rikthyer barazimin.