RTSH Sport Live

Partizani, tendencë për trofe

  • 28/04/2023
  • |
  • Basketboll
Partizani, tendencë për trofe
Të kuqet kanë fituar ndeshjen e dytë në “Asllan Rusi”, 73-59, barazim në çështjen për titull kampion

Partizani në basketboll për femra ka barazuar në 1-1 finalet për titull kampion. Dhe kjo ka ndodhur pas fitores së të enjtes në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, 73-59 ndaj Flamurtarit. Ornela Lalaj dhe trajneria e Partizanit, Eliverta Bujari, tregojnë suksesin e Partizanit, ndërsa me një 2-0 të Flamurtarit do të ishte shumë më vështirë në ndeshjen e tretë në Vlorë.

“Kjo fitore na jep mjaft moral pasi takimi i parë i shkoi ekipit të Vlorës. Si finale që është dihet se do të jetë një seri mjaft e luftuar pasi të dy skuadrat janë me meritë këtu ku ndodhen. Në të tilla situatash fiton formacioni, i cili gabon më pak”, tha Ornela Lalaj.

“Kjo fitore ishte mjaft e rëndësishme pasi presionin kalon mbi ekipin kundërshtarë. Sa i përket duelit të sotëm (dje, 27 prill) them se në dy periodat e para vajzat nuk dolën në lojën e vet pasi ishin disi të ndrydhura nga emocioni. Tani do të shkojmë në Vlorë të tentojmë një surprizë për të rikthyer titullin”, pohoi Eliverta Bujari.

Por çfarë ndryshoi tek Partizani krahasuar me ndeshjen e parë në Vlorë? “Mendoj se pankina bëri diferencën pasi vajzat e ardhura nga stoli ishin më të freskëta dhe na dhanë një dorë të mirë në këtë sukes”, tha Lalaj.

Në fund Bujari ka folur dhe për atmosferën e krijuar në “Asllan Rusi”, ndërsa ka treguar se tashmë është bërë paqe me Tiranën. “Mendoj se ajo që ndodhi nuk është e hijshme për një ndeshje sporti prandaj e kemi lënë pas atë kapitull. Kemi biseduar dhe më koleget në klubin e Tiranës dhe kemi arritur që të mbyllim gjithçka”, siguroi Bujari.