RTSH Sport Live

Peshëngritje/Përjashtohet Arbër Çerçizi

  • 25/03/2021
  • |
  • Të tjera
Peshëngritje/Përjashtohet Arbër Çerçizi
Shtangisti i Apolonisë ka rezultuar me substancën e ndaluar kokainë në kampionat

Arbër Çerçizi është përjashtuar përgjithmonë nga peshëngritja, sepse në analizat e fundit anti-doping të kryera gjatë zhvillimit të Kampionatit Kombëtar të të rriturve në Durrës, më 20-21 shkurt, ka rezultuar me substancën e ndaluar kokainë. Të paktën ky ka qenë vendimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, marrë të enjten, pasi më parë kishte kërkuar ndihmën e Organizatës Kombëtare të Antidopingut për kontrollet ndaj sportistëve pjesëmarrës në kampionat.

Analiza, të paktën sipas dokumentit të ardhur nga Organizata Kombëtare e Antidopingut më 23 mars në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, është marrë më 20 shkurt dhe më 15 mars është analizuar në Laboratorin e Antidopingut në Sebersdorf të Austrisë, atje ku dhe është gjetur përdorimi i substancës së ndaluar kokainë.

Për rrjedhojë, gjithnjë sipas vendimit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Arbër Çerçizi jo vetëm që është përjashtuar përgjithmonë nga shtanga, por në një periudhë kohore 5-vjeçare nuk do të lejohet të ushtrojë as detyrën e trajnerit tek Apolonia. Tanimë është në dorën e sportistit nëse do të kërkojë të bëjë analizën B, ndërsa ajo që është marrë, ashtu sikurse bëhet në të gjitha rastet e kontrolleve antidoping, është ndarë në dy epruveta, të cilat ruhen në kushte laboratorike.

Por Çerçizi është përsëritës, ndërsa më parë është pezulluar për dy vjet më 2014-ën për shkak të përdorimit të substancës së ndaluar testosterone. Në fakt në Austri janë analizuar 12 mostra të marra nga Organizata Kombëtare e Antidopingut në Kampionatit të të rriturve, atje ku vetëm Çerçizi rezultoi pozitiv me substancën e ndaluar kokainë, ndërsa tanimë është përjashtuar përgjithmonë nga peshëngritja, ndërsa Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka bërë të qartë që këtë masë do të ketë për të gjithë sportistët, qofshin ato medalistë.