RTSH Sport Live

Polonia: në Tiranë, vendimtare për trajnerin

  • 08/10/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Polonia: në Tiranë, vendimtare për trajnerin
Sousa rrezikon stolin, sfida e datës 12 rrezikon ta “shkarkojë” nga detyra

Kohë të vështira për trajnerin e Kombëtares së Polonisë, Paulo Sousa. Tekniku potrugez që këtë të shtunë bashkë me skuadrën e tij do të ndeshet me San Marinon dhe më pas do të udhëtojë drejt Tiranës për sfidën vendimtare të grupit, duhet të përballet edhe me presionin  e vazhdueshëm të federatës dhe hijet e emrave që mund ta zëvendësojnë. Pasi është qortuar nga drejtuesit e lartë të federatës për shkak të rezultateve jo pozitive dhe faktit që nuk është i pranishëm në pjesën më të madhe të ndeshjeve të kampionatit për të vëzhguar lojtarët vendas, Sousa ka qënë i qartë, duke theksuar se detyrat në stafin e tij janë të ndara dhe asnjë prej lojtarëe interesantë që duhen vëzhguar, nuk ka ngelur jashtë vëmendjes së tij.

Ish futbollistë dhe trajnerë të Polonisë e kanë kritikuar gjithashtu Sousan për qëndrimin e tij në Portugali gjatë pjesës më të madhe të kohës, ndërsa të premten, mes trajnerit dhe kreut të federatës, Cezary Kulesza është zhvilluar një takim ku teknikut luzitan i është kërkuar rezultat maksimal edhe në Shqipëri për t’u rikthyer në vendin e dytë të klasifikimit. Në këtë mënyrë, 90 minutëshi i datës 12 në Arenën Kombëtare mund të konsiderohet jetik.

Një fitore e mundshme e Shqipërisë mund t’Ii rrezikojë shumë pozitat e Kombëtares së Polonisë në këto eliminatore ndërsa në garë mbetet edhe Hungaria. Sousa e mori detyrën e trajnerit të Polonisë në Janar të këtij viti dhe dështoi në misionin për të kaluar fazën e grupeve të Euro 2020.