RTSH Sport Live

Portugalia, Santos: Të mendojmë për Turqinë, pastaj për Italinë

  • 26/11/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Portugalia, Santos: Të mendojmë për Turqinë, pastaj për Italinë
Trajneri i luzitanëve: “Duam të mposhtim italianët dhe të shkojmë në Botëror, por më parë kemi një tjetër pengesë të rëndësishme”

Fernando Santos, trajneri i Portugalisë, komentoi shortin e hedhur të premten në Zyrih, i cili do ta vendosë Turqinë fillimisht në rrugën e luzitanëve drejt Botërorit 2022 dhe më pas, në rast fitoreje dhe suksesi paralel të Italisë ndaj Maqedonisë së Veriut, pikërisht të kaltërit e Mancinit. "Italia? Nuk ka nevojë të flasim për këtë tani, së pari duhet të mendojmë se si të mundim Turqinë. Gjysmëfinalja është ndeshja më e rëndësishme - tha për një kanal televiziv portugez, Canale 11.

“Ne duam të mundim Italinë dhe të shkojmë në Kupën e Botës, por së pari është një tjetër hap i rëndësishëm. Shorti? Ky është, pikë. Unë shoh gjithashtu gjëra pozitive - shtoi Santos - duke përfshirë mundësinë e luajtjes së dy ndeshjeve në shtëpi ku do të kemi mbështetjen e publikut. Në mars, kur sezoni do të japë sinjale të qarta të peshës së tij, të mos udhëtosh do të jetë shumë e rëndësishme”.