RTSH Sport Live

Post sezoni NBA, Lakers eleminojnë Memfis, Sakramento i reziston Warriors-ave

  • 29/04/2023
  • |
  • Basketboll
Post sezoni NBA, Lakers eleminojnë Memfis, Sakramento i reziston Warriors-ave

Në Kaliforni skuadra e Lakers nuk i dha asnjë shans formacionit të Memfisit që të dërgonte duelin në ndeshjen e shtatë. Lakers-at zhvilluan ndeshjen perfekte pasi ishin superior në të dy skajet e parketit. D’Angelo Russell udhëhoqi ekipin mjaft mirë në sulm ndërsa Anthony Davis bëri të njëjtën gjë me fazën mbrojtëse. Lakers dominuan rivalët, të cilët parashikoheshin si finalist por që në këtë duel humbën keq duke treguar edhe një herë se lojtarë si Ja Morant, Bane apo Brooks ende nuk janë “yje”.

D’Angelo Russell nisi garën fort dhe të njëjtin ritëm e mbajti deri në fund duke mbyllur mbrëmjen me 31 pikë në llogari. Kontribut të vyer dha edhe LeBron James, i cili shënoi 22 pikë. Kjo fitore dërgoi Lakers në gjysmëfinale të Konferencës të Perëndimit, aty ku i duhet të presin ende emrin e rivales.

Sakramento Kings zhvilloi natën e kaluar një ndeshje për historinë duke detyruar kampionët në fuqi, të fitojnë ndeshjen e shtatë nëse duan që të shkojnë në gjysëmfinalet e Konferencës të Perëndimit. Në takimin e mbrëmshëm, të zhvilluar në San Fransisko, skuadra e drejtuar nga Mike Broën zhvilloi një ndeshje të përkryern në aspektin mbrojtës duke detyruar Warriors që të humbnin plot 19 herë topin si dhe të mos futeshin kurrë në lojë gjatë të gjithë 48 minutëshit.

Në “Chase Center” shkëlqyen djemtë nga Kentaki, De’Aaron Fox dhe Malik Monk. I pari mbylli takimin me 26 pikë dhe 10 asist ndërsa i dyti, edhe pse nisi ndehsjen nga pankina, rrealizoi 28 pikë (i gjithë stoli i Warriors shënoi 21).

Të dielën në orën 21:30 të dy ekipet luajnë takimin final në Sakramento. Në rast triumfi për Kings do të ishte seria e parë e play-off e fituar që prej 2004 ndërsa nëse fitojnë miqtë nga San Fransisko do te ishte gjysëmfinalja e radhës e një formacioni që po kthehet në një dinasti të vërtetë në NBA.

Ndeshjet

LOS ANGELES LAKERS-MEMPHIS GRIZZLIES 125-85 (4-2)  

GOLDEN STATE WARRIORS-SACRAMENTO KINGS 99-118 (3-3)