RTSH Sport Live

Ramadani shkakton penallti, Leçe i dorëzohet Napolit

  • 30/09/2023
  • |
  • Itali
Ramadani shkakton penallti, Leçe i dorëzohet Napolit
Të besuarit e Garcias arrijnë fitoren e dytë radhazi dhe afrohen me kryesuesit

Një ditë jo për mesfushorin kuqezi, Ylber Ramadani, i cili ka parë skuadrën e tij, Leçen të mposhtet në shtëpi 0-4 përballë Napolit. Ndërsa rezultati ishte 3-0 në favor të miqve, në limitet e kohës së rregullt Ramadani bëri një ndërhyrje të gabuar në dëm të Gaetano dhe për Pairetton nuk kishte asnjë dyshim: ishte një penallti. Osimhen ia lë topin Politanos i cili nuk gabon nga njëmbëdhjetë metra. Vlerësimi: Pjesa e parë e mirë, në pjesën e dytë rënie. Shumë naiv në rastin e faullit që çoi në penalltinë e 0-4.

Kështu, Napoli triumfoi 4-0 ndaj Leçes në ndeshjen hapëse të javës së shtatë të Serisë A. Kampionët e Italisë kaluan në epërsi në pjesën e parë me një goditje me kokë të Ostigardit, goli i tij i parë me fanellën e kaltër dhe dyfishuan epërsinë në pjesën e dytë me Osimhen, i mbajtur fillimisht në stol nga Garcia. Në finale Gaetano i sapofutur dhe Politano (me penallti) mbyllën llogaritë.

Me këtë sukses napolitanët ngjiten në kuotën e 14 pikëve dhe afrohen pranë Interit dhe Milanit. Leçe, e mbërthyer në 11 pikë, humbet rekordin e tyre të pamposhtur në shtëpi dhe pëson nokautin e dytë radhazi pas atij në Torino kundër Juves.