Të gjithë ata që kanë ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës në Katar e kanë dalluar qartë prezencën e numrit një të FIFA-s në shkallët e stadiumeve. “The Times” ka publikuar sot prova që tregojnë se ky fakt nuk ka qenë një rastësi.
e-mail - Grupi i punës nga Zvicra që u kontraktua nga FIFA për të bërë regjinë e Katar 2022 mësohet se është njoftuar nëpërmjet një e-mail se duhet që të inkuadronte të paktën një herë në çdo ndeshje Infantino-n në shkallët e stadiumeve.
Drejtor imazhi – Në rrëfimin e saj “The Times” shkon më tej duke publikuar faksimile ku rreshtoheshin edhe tre urdhëresat për stafin e regjisë të Katar 2022. Për secilën ndeshje mësohet se kishte një drejtor imazhi, i cili zgjidhte dhe planet që do të transmetoheshin direkt.
Drejtorët e imazhit duhet të zgjidhnin planet sipas tre pikave:
Infantino duhej të shfaqej të paktën një herë në çdo ndeshje.
Drejtorëve të imazhit nuk u lejohej të publikonin pamje ku presidenti i FIFA-s shfaqej teksa shikonte celularin.
Nëse zviceriani ishte ulur pranë sheikëve, atëherë planet e kamerave duhet të ishin bust që të mos inkuadronin personazhet nga gjunjët e poshtë me qëllim që të evitoheshin pamjet sensitive që lidhen me kulturën e vendasve.