RTSH Sport Live

Rubin Hebaj prezantohet te Shkëndija dhe deklaron: Të arrijmë objektivat

  • 19/01/2021
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Rubin Hebaj prezantohet te Shkëndija dhe deklaron: Të arrijmë objektivat
“Shpresoj që kjo hera e tretë që dal nga Shqipëria të jetë e treta e vërteta për të bërë një sezon shumë të mirë”

Rubin Hebaj është zyrtarisht futbollistë i Shkëndijës së Tetovës në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Sulmuesi shkodran është prezantuar sot te skuadra që drejtohet nga trajneri, Ernest Gjoka duke firmosur dhe një kontratë që e mban të lidhur me këtë skuadër për dy vite e gjysmë.

Sulmuesi 22-vjeçarë është blerja e parë e skuadrës kuqezi, duke filluar menjëherë nga puna me grupin, ndërsa në ditët në vijim priten afrime të tjera. Hebaj ka thënë dhe fjalët e para si futbollist i Shkëndijës, duke theksuar se do të japë gjithçka për të arritur objektivat që klubi i ka vënë vetes. Në një prononcim të publikuar në faqen e klubit, sulmuesi shkodran ka deklaruar:

“Ndjehem shumë mirë në fakt. Të gjithë më pritën shumë mirë si ditë e parë në klub. Isha për të bërë vizitat mjekësore, u ndjeva tamam si në shtëpi dhe kisha ndjenjën që po vija në një klub shumë të madh si Shkëdija”. 

 “Kohët e fundit Shkëndija ka bërë shumë mirë si në kampionatin maqedonas, ashtu edhe në Europë dhe gjithmonë në mesin e ekipeve shqiptarë që i kam ndjekur edhe në televizor ka qenë edhe Shkëndija për arritjet që ka pas. Gjithsesi, vetë projekti i klubit më bëri të pranoj dhe të firmos kontratën këtu për të bërë më të mirën për klubin”.

 “Shkëndija është një ekip ku flitet shqip dhe ndjehem sikur jam në shtëpinë time. Shpresoj që kjo hera e tretë që dal nga Shqipëria të jetë e treta e vërteta për të bërë një sezon shumë të mirë”.

“Besoj që nuk mund të jap premtim, por mund të them që do të bëj më të mirën për klubin, do të mundohem të shënoj sa më shumë gola, sepse roli im është sulmues, normal, dhe ekipi të arrijë sa më lartë me golat dhe paraqitjen time. Besoj pjesa tjetër do ngelet ta tregoj në fushë”.

 “Ishte ditë e lodhshme sot, sepse rruga ishte e gjatë, testimet, ardhja në klub, vizitat mjekësore në One Hospital, kthimi pastaj. Gjithsesi u bë për një qëllim të mirë, prandaj e mora me pozitivitet dhe u kënaqa”.

 “Kush si njeh ‘Ballistët’!? Edhe kur kam pa Shkëndijën, por edhe kombëtaren i kam ndjek dhe kam pa atë frymëzimin si një dëshirë që një ditë të luaj për klubin për të cilin ata bënin tifo. Shpresoj që sa më shpejtë të mbarojë kjo periudha e pandemisë që të kthehen tifozët në stadium, të na mbështesin dhe të na japin atë ndjenjën e ‘lojtarit të 12-të’.”

 “Për titullin? Besoj shumë, sepse Shkëndija ka disa vite që është në majat e futbollit në Maqedoni dhe kam shumë besim që do arrijmë objektivat e klubit”.