RTSH Sport Live

Shkëlqim Muça: Vllaznia agresive, Kukësi u shfaq ndryshe

  • 11/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Shkëlqim Muça: Vllaznia agresive, Kukësi u shfaq ndryshe
Shkëlqim Muça ka analizuar javën e 27-të të Kategorisë Superiore në “Rubrika Sportive” në RTSH

“Kukësi u shfaq ndryshe, askush nuk e kishte menduar një fitore kaq të lehtë. Vllaznia ishte agresive, si asnjëherë tjetër në këtë sezon, duke iu përgjigjur lojës së Laçit”. Është ky mendimi i Shkëlqim Muçës, i përhershmi i emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, i cili ka analizuar gjithçka që ka ndodhur në javën e 27-të të Kategorisë Superiore.

“Më bëri përshtypje Kukësi në këtë javë , nuk e kisha menduar se do arrinte një fitore kaq të lehtë. Jo vetëm që fitoi ndeshjen, por u duk një ekip komplet ndryshe, sikur ishte një pretendent për titull. Më bëri përshtypje edhe Vllaznia, për mënyrën se si e interpretoi ndeshjen. Një skuadër agresive, që iu përgjigj lojës së Laçit, nuk e kisha parë ndonjëherë. Nuk u dorëzua në asnjë moment në aspektin e agresivitetit. Ishte ndryshe nga shumë ndeshje të tjera, kishte një karikim të veçantë. Ka fituar një llojë pjekurie dhe them se do të jetë pretendente deri në fund".

APOLONIA-TEUTA 0-2: “Natyrisht, tani ka ardhur një moment që nuk falen më gabimet. Me skuadra të konsideruar si të lehta në letër,  janë mundësitë për të fituar. Teuta e ka të qartë, duhet fituar, sidomos në ndeshje të tilla, nuk falen. Durrsakët kanë krijuar dhe një frymë optimizmi, është drejt finishit dhe e shikoj shumë të karikuar dhe më të lirshme. Mendoj se është në rrugë të drejtë”.

PARTIZANI-BYLISI 3-0: “Partizani bëri një ndeshje, të cilën nuk e vuri në diskutim. Arriti të shënojë shumë shpejt dhe ekipi ishte i liruar. I vetmi problem ishte që nuk shënoi më shumë në fillim të lojës, sepse kishte mundësinë ta mbyllet ndeshjen më përpara. Në këtë stad që ka arritur kampionati, shikoj që Partizani ka një ekip kompakt, lojarët kanë arritur formën e tyre. Akoma më mirë kur një skuadër ka edhe stolin e rezervave të fortë, sepse kampionati do dhe një stol të fortë, jo vetëm në aspektin sportive, por dhe në bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Bylisi nuk ishte një orjentim sulm-mbrojtje, ishte një skuadër që luante hapur, pa një ide të qartë. Goli i pësuar në fillim e shpartalloi komplet. Gjithsesi, merita kryesore është e Partizanit”.

LAÇI-VLLAZNIA 0-0:  “Skuadra e Brdariç iu përshtat agresivitetit që ka Laçi, madje mund të them se ishte më shumë aggresive: në dyluftime, në lojë, në markime. Edhe në aspektin difensiv ishte shumë e qartë. Ishte një ekip shumë i fortë për tu kaluar. Nga ajo që pamë, Laçi krijoi shumë pak, nuk më pëlqeu taktikisht. Në sulmin me tre, në krahun e djathtë nuk kishte lojtarë. Pritej të vinte Marku, që ishte shumë larg, ishte në katërshen e mbrojtjes, jo në treshen e mesfushës. Skuadra luante në një krah dhe Vllaznia e kishte të qartë mbulimin e Mazrekajt”.

SKËNDERBEU-TIRANA 0-0: “Është e vërtetë që Skënderbeu ka bërë përmirësime shumë dhe një meritë shkon edhe për trajnerin Memelli, që e mori skuadrën në një moment shumë të vështirë, me shumë guxim. Më pas, pas katër apo pesë ndeshjesh erdhën dhe frytet e punës. Mendoj se korçarët janë totalisht në lojë për të shpëtuar. Me Bylisin ndeshjen direkte e ka në Korçë, ndeshjet e tjera më pas janë të barabarta për të dyja. Përsa i përket Tiranës, është një nga ndeshjet e pakta, që krijon shumë pak raste, kjo për metitë të kundërshtarit, pa lënë mënjanë mangësitë e veta”.

KASTRIOTI-KUKËSI 0-3: “Kastrioti kishte një moment, që mund të kishte shënuar. Po më pas, dhe pas golit të shënuar nga Kukësi, çdo gjë më pas shkoi në favorin e tyre. Është një skuadër, të cilën duhet ta kenë kujdes, pavarësisht se ndodhet në atë pozicion. Kukësi ka cilësi dhe Kastrioti e harroi këtë”.