RTSH Sport Live

Shkupi drejt titullit, Shkëndija shkarkon trajnerin

  • 05/04/2022
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Shkupi drejt titullit, Shkëndija shkarkon trajnerin
Titulli mund të vijë pas 21 vitesh mungesë, barazimi ndaj Borec i kushton Bruno Akrapovic

Shkupi vazhdon të marshojë drejt titullit kampion në Maqedoninë e Veriut, trofe që mungon prej 21 vjetësh. Kur kanë mbetur edhe tetë 8 javë nga mbyllja e sezonit, blutë janë 13 pikë larg nga vendi i dytë që mbahet nga Shkëndija. Skuadra nga Tetova nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 ndaj Borec, skuadrës së vendit të parafundit në renditje, një pikë që nuk lejoi kuqezinjtë të forconin pozitat në klasifikim. Barazimi në fakt qëlloi fatal për trajnerin Bruno Akrapovic. 54-vjeçari nuk është më trajneri i skuadrës.

Kujtojmë që boshnjaku e mori drejtimin e skudrës në 2 gushtin e vitit të kaluar duke zëvendësuar Ernest Gjokën. Në postimin zyrtar klubi nga Tetova thekson se palët ranë dakord për ndërprerjen e bashkëpunimit, teksa uruan trajnerin për kontributin e dhënë. Ende nuk dihet se kush do të jetë trajneri i ardhshëm, por drejtuesit do të kërkojnë me patjetër një profil të lartë, pasi rreziku për të mbetur jashtë kupave të Europës është evident, Akademia Pandev në vendin e tretë ndan të njëjtën kuotë pikësh 48, ndërsa Makedonija Gjorçe Petrov është dy pikë larg.