RTSH Sport Live

Shorti në grupe, entuziasmohet Vllaznia

  • 04/10/2022
  • |
  • UEFA Champions League
Shorti në grupe, entuziasmohet Vllaznia
Trajneri Nikolin Leka: Ne e kemi realizuar objektivin tonë, tani të bëjmë më të mirën

Vllaznia në futboll për femra tashmë i ka mësuar kundërshtarët e saj në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Përballje të forta ndaj ekipeve me emër në futbollin europian si Çelsi, Paris Sen Zhermen dhe Real Madrid. Trajneri i skuadrës kuqeblu, Nikolin Leka, në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar tregon se si është pritur ky short në ekipin e tij

Shorti në fazën e grupeve është pritur shumë mirë nga vajzat, të cilat pasi kanë mësuar emrat ishin entuziaste, sepse do të përballen me disa ekipe që janë elitë e futbollit europian. Do të vijnë në Shkodër, pikërisht në stadiumin tonë, ekipe të fuqishme dhe për këtë jemi krenar”, ka thënë Leka.

Por çfarë ka ndryshuar në skuadrën e tij pas këtij shorti, përballje që as futbolli i të rriturve nuk i ka sjellë në Shqipëri

Gjithçka është falë mundit dhe sakrificës të të gjithë këtyre viteve. Mbi të gjitha sakrificë e presidentit për shpenzimet që ka bërë. Është mundi dhe djersa e vajzave, e stafit teknik dhe e atij mjekësor”.

Real Madrid përballja e parë në grupe për Vllazninë, kjo më 20 tetor në ora 18:45 në stadiumin “Loro Boriçi”

E rëndësishme është se po vjen Real Madrid për të luajtur në Shkodër kundër Vllaznisë. Duhet të promovojmë futbollin shqiptar në Europë dhe ma merr mendja që edhe publikun do ta nxjerrim të kënaqur në këto përballje”

Tanimë edhe publiku shkodran nuk ka më nevojë për thirrje. Por ka nisur të interesohet për një biletë për të qenë në stadiumin “Loro Boriçi”. Dhe Leka e ndjen këtë gjë, së bashku me skuadrën e tij

“Tani – thotë Leka – nuk mund t’i themi publikut hajde. Sepse tifozët do të jenë aty dhe do të jenë për ne lojtari i dymbëdhjetë. Unë e ftoj që të jetë në stadium dhe të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën”.  

Por cili është objektivi i Vllaznisë në këtë fazë grupesh?

”Ne objektivin tonë e kemi arritur, që ishte kalimi në fazën e grupeve. Më tej do të bëjmë më të mirë tonë edhe përballë kundërshtarësh kaq të fuqishëm”, ka përfunduar Leka.