RTSH Sport Live

Skënderbeu e Tirana fitojnë aktin e parë

  • 11/04/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Skënderbeu e Tirana fitojnë aktin e parë
Nisin gjysmëfinalet e Superligës së femrave, derbi erdhi drejtpërdrejt në RTSH 3

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, Superliga, ka nisur të enjten rrugëtimin e “play-off”-it të titullit, teksa në Korçë dhe në kryeqytet janë luajtur takimet e para të gjysmëfinaleve. Kështu, Skënderbeu e ka mbyllur në një orë e 15 minuta dhe në 3 sete duelin e parë në shtëpi ndaj Vllaznisë, në takimin e zhvilluar më herët. Skuadra korçare i fitoi me shifrat përkatëse 25-15, 25-19 dhe 25-23 dhe shkon në sfidën e së dielës në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës me synimin për ta mbyllur në dy ndeshje çështjen e kalimit në finale.

Ndërkaq, në duelin tjetër, të luajtur më vonë, Tirana e ka mbyllur në 4 sete duelin e parë të derbit e kryeqytetit me Partizanin. Takimi i zhvilluar në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar dhe pamje të të cilit na sjell kjo kronikë, skuadra e drejtuar nga trajneri turk, Bylent Karshiollu, e ka fituar në 26 minuta setin e parë, me shifrat 25-18.

Por të kuqet e homologes Amarilda Sijoni-Prenga do të reagojnë në të dytin, duke e fituar atë në 25 minuta me shifrat 25-22 dhe duke rikthyer barazpeshën në sete. Por Tirana do të reagojë në setin e 3-të dhe do ta fitojë atë bindshëm, 25-15, në 22 minuta lojë, duke vijuar ta marrë edhe setin e 4-t në 24 minuta, me shifrat 25-18, dhe gjithë ndeshjen 3-1 me sete. Takimet e dyta të gjysmëfinaleve të “play-off”-it të titullit në Superligën e volejbollit të femrave luhen të dielën në mbrëmje.