RTSH Sport Live

Struga-Breidablik, Shpëtim Duro flet në prag të përballjes

  • 24/08/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Struga-Breidablik, Shpëtim Duro flet në prag të përballjes
Trajneri 63-vjeçar vlerëson forcën e kundërshtarit: Luajnë futboll fizik dhe janë agresivë

Struga është vetëm dy ndeshje larg historisë. Ekipi drejtuar nga Shpëtim Duro synon fazën e grupeve të Conference League, që do të ishte hera e parë në historinë e klubit. Struga do të përballet me islandezët e Breidablik, ku synimi i vetëm është kualifikimi. Në prag të sfidës, trajneri i Strugës Shpëtim Duro vlerësoi maksimalisht ecurinë e skuadrës në aventurën europiane. “Është një ndeshje e madhe për ne pasi nëse kalojmë edhe këtë pengesë do të shkojmë në fazën e grupeve. Do të kemi përpara dy takime mjaft të rëndësishme, të cilat do ti luajmë me shpresën për të kaluar më tej”, tha Duro.  

Shpëtim Duro u ndal më pas te kundërshtari. 63-vjecari e di forcën që ka skuadra islandeze, duke theksuar se është një skuadër e oragnizuar dhe luajnë një futboll fizik. “Të gjithë takimet që kemi zhvilluar deri më tani i kemi përballuar me të njëtin formacion dhe për këtë fakt dua që të përgëzoj ekipin. Sa i përket rivalëve duhet të themi se janë një ekip mjaft i fortë në aspektin fizik dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes”, përfundoi Duro.

Ditën e enjte, Struga do e zhvillojë ndeshjen e parë ndaj islandezëve të Breidablik në shtëpi, me sfidën që do të nisë në orën 17:00.