Struga e trajnerit Shpëtim Duro, kampione e Maqedonisë së Veriut, ka bërë një debutim pozitiv në Ligën e Kampioneve duke barazuar 0-0 në Lituani me Zalgiris. Një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat, me Strugën që u shfaq më e rrezikshme në disa fragmente të lojës, ndërkohë që vendasit mund të thuhet se ishin të rrezikshëm në dy raste gjatë gjithë lojës.
Rasti më i mirë për struganët u shënua në minutën e 36-të, me Shabanin që nuk arriti të shënonte nga një pozicion i volitshëm. Ibraimi, por edhe zëvendësuesi Kocoski rrezikuan portën e vendasve, por rezultati mbeti i mbërthyer në shifrat 0-0 deri në fund.
Një rezultat që i shkon më për shtat skuadrës së Strugës, e cila mund të ëndërrojë për ndeshjen e kthimit.