Ndeshja më interesante e javës të 13-të të Ligës së Parë në Maqedoninë e Veriut ishte ajo mes dy klubeve shqiptare, Strugës dhe Shkëndijës.
Dueli ka qenë mjaft i rëndësishëm pasi të dy ekipet nuk donin që të humbnin kontaktin me Shkupin kryesues. Pjesa e parë e takimit u mbyll në barazim pa gola ndërsa miqtë nga Tetova “u rënduan” me tri kartonë të verdhë.
Në fraksionin e dytë Shkëndija kaloi në avantazh me Krasniqin, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit duke shënuar gol në të 54’.
Kaluan pak minuta dhe nisi një ndeshje tjetër pasi miqtë mbetën me një lojtar më pak pasi Çinari në të 62’ mori kartonin e dytë të verdhë dukë braktisur fushën e lojës përpara kohe.
Ekipi i Shpëtim Duros arriti që të përfitonte në maksimum nga epërsia numerike në fushë duke shënuar dy herë me Kompaore (73’) dhe Redeskin (75’).
Deri në fund të ndeshjes kryesori nxorri plot 14 herë herë kartonin e verdhë. Struga me tri pikët e koleksionuara sot arriti që të kalonte në klsifikim Shkëndijën duke i marrë vendin e dytë dhe të afrohet me ekipin e Shkupit, i cili ka vetëm një pikë më shumë.