RTSH Sport Live

Tamirat Tola vendos rekord në Maratonën e Nju Jorkut

  • 05/11/2023
  • |
  • Evente Sportive
Tamirat Tola vendos rekord në Maratonën e Nju Jorkut

Vetëm pak minuta më parë u mbyll edhe maratona e 6-të e madhe për këtë sezon, ajo e Nju Jorkut. Fituesi i këtij edicioni në këtë garë prestigjoze ishte Tamirat Tola.

Atleti nga Etiopia përshkroi 42.195 kilometrat për 2 orë, 4 minuta e 58 sekonda. Me këtë kohë Tola hyri në historinë e maratonës të qytetit të Nju Jorkut pasi vendosi një rekord të ri duke përmirësuar kohën (2:05.06) e Xhefri Mutai të rregjistruar në 2011-ën.

Tola arriti që të shkëputej nga patrioti i tij, Xhemal Jimer në afërsi të Bronksit. Vendi i dytë i shkoi atletit nga Kenia, Albert Korir me kohën 2:06:57 ndërsa etiopiani Shura Kitata përfundoi në vendin më të ulët të podit me kohën 2:07:11. Jimer nuk arriti që të mbante tempin e kryesuesve pas kilometritit të 30-të duke përfunduar garën në vendin e nëntë.

Gara ishte mjaft interesnate për kategorinë e femrave me Hellen Obiri, e cila u shpall fituese falë ritmit të magjishëm në 400 metrat e fundit. Ateltja nga Kenia këtë vit ka shfaqur formë impresionuese pasi në prill kishte fituar një tjetër maratonë prestigjoze siç është ajo e Bostonit.

Sa i përket garës të sotme Obiri përshkroi gjithë distancën së bashku me Letesenbet Gidej nga Etiopia dhe fituesen e vitit të kaluar Sharon Lokedi. Obiri bëri kolpo në “Central Park” duke u shkëputur nga dy rivalet e saj për të prerë vijën e fishinit në kohën 2:27:23. Gidej përfundoi e dyta, gjashtë sekonda më pas dhe Lokedi mbërriti e treta me kohën 2:27:33.